‘Kosova, vendi i dytë më i keq në Evropë për të qenë grua’
Indeksi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i krijuar nga Instituti i Oslos për Kërkime Paqeje (PRIO), ka publikuar të martën një raport, në të cilën është thënë se Kosova është vendi i dytë me i keq në Evropë për të jetuar si grua.
Sipas të dhënave, më keq se Kosova është vetëm Ukraina, shkruan “Euronews”.
Në të dhëna janë matur përfshirja, drejtësia dhe siguria për gratë. Janë përdorur 13 matës, nga shkollimi deri te ligjet e punësimit e tek perceptimi për sigurinë dhe dhunën.
Sipas PRIO-s, pikët e ulëta për Kosovën i janë atribuuar shkollimit të dobët dhe nivelit të ulët të punësimit për gratë, si dhe “niveleve shumë të larta” të vdekjeve të grave gjatë lindjeve.
Ky raport është nxjerrë vetëm për Evropë, teksa në ranglistën botërore Kosova qëndron në pozitën e 100-të.
Nëntë nga dhjetë shtetet më të mira të botës për të qenë grua janë në Evropë. Danimarka i prin listës, ndërsa në renditje janë Zvicra dhe Suedia.