Kosova zhvilloi stërvitjen e dytë në “Fadil Vokrri”
Futbollistët e Kosovës kanë mbajtur stërvitjen e dytë dhe të fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para ndeshjes së të enjtes kundër Çekisë në Plzen.
Në stërvitje mungoi sulmuesi Vedat Muriqi, i cili nuk do të jetë në gjendje për lojë në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese, derisa Herolind Shala ka stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër nën përkujdesjen e trajnerit kondicional dhe stafit mjekësor, të cilët po mundohen t’ia sanojnë lëndimin e këmbës, në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për lojë.
Atmosfera në ekip është shumë e mirë, derisa të gjithë futbollistët e tjerë punuan me përkushtim dhe intensitet të plotë në stërvitjen e sotme. Edhe stërvitjen e sotme nga afër e ndoqën presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, si dhe një numër i konsiderueshëm i tifozëve në minutat e para sa ishte e hapur stërvitja, të cilët me brohoritje i dhanë kurajë futbollistëve për këto dy ndeshje tejet të rëndësishme, të cilat mund t’i japin kualifikimin e parë Dardanëve në një Kampionat Evropian.