Kosova zotohet në luftimin e migrimit të paligjshëm
Me ftesë të ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Taulant Balla, në prag të Samitit të Berlinit, sot u mbajt në Tiranë konferenca ndërministrore e vendeve të Ballkanit Perëndimor me temën diskutimi “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor”.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka prezantuar para të pranishmëve të arriturat e Qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, migrimit të paligjshëm e trafiqeve të ndryshme.
“Në këtë drejtim, institucionet tona të sigurisë janë ballafaquar me sfida të shumta veçanërisht me sulme të njëpasnjëshme ndaj tyre por nuk kanë ndaluar së zbatuari misionin e tyre. Bashkëpunimi rajonal mbetet qenësor në realizimin e qëllimeve tona për rajon të sigurtë që lufton me mekanizma të përbashkët çdo lloj krimi që cënon sigurinë”.
“Jam i lumtur që me ministrin z. Taulant Balla dhe me ministrin Britanez për Luftimin e Migrimit të Paligjshëm, Michael Tomlinson nënshkruam sot edhe deklaratën e përbashkët përmes së cilës zotohemi për angazhim të përbashkët në luftimin e migrimit të paligjshëm”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.