Kosovarët e ‘varfër’, rreth 45 mijë qytetarë në vit shkojnë në Turqi (Video)
Referuar statistikave të vitit të kaluar, rreth 45 mijë qytetarë nga Kosova kanë vizituar Turqinë, që në krahasim me vendet e tjera të rajonit, del të jetë në shkallë më të lartë.
Sipas kompanive të udhëtimit në Kosovë, kjo përqindje është shumëfishuar në këtë vit, duke u bazuar edhe në rezervimet që kanë filluar qysh nga muaji janar i këtij viti.
Ani pse shkalla e varfërisë në Kosovë është e lartë, sipas kompanive të udhëtimit, një gjë e tillë nuk vërehet shumë kur krahasohet me udhëtimet.
Por, vlerësim ndryshe kanë qytetarët. Agim Mehmeti ka thënë se në Kosovë nuk ka të ardhura të mjaftueshme, që të kenë mundësi të shkojnë diku për pushime. I frustruar me sistemin politik në vend, Hysen Hasani, ka thënë se ka hall tjetër, në vend se të mendojë se ku do të kalojë pushimet.
E Arben Berisha ka thënë se pushimet do t’i kalojë në Shqipëri ose Turqi, megjithatë sipas tij, jo të gjithë kanë mundësinë që të zgjedhin vendin se ku do të shkojnë për shkak të kostos së lartë të udhëtimit. Një gjë të tillë e ka thënë edhe Fahrije Krasniqi.
Ndërsa, Fidane Ymeri, menaxhere e agjencisë së udhëtimeve, “Fibula Travel”, ka thënë se interesimet për rezervime për pushime kanë filluar qysh nga muaji janar.
Një gjë të tillë e ka thënë edhe Fisnik Dragusha, drejtor menaxhues në “Vas Tour Travel”, i cili për “Kosovapress”, ka thënë se kanë qenë shumë aktiv që nga janar sa i përket udhëzimeve për rezervim të pushimeve.
Sipas Dragushës, gjatë këtij viti është vërejtur një ngritje prej më shumë se 100 për qind të rezervimeve, krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas tij, gjendja ekonomike në Kosovë është e ngjashme me Maqedoninë ose Shqipërinë, mirëpo në raport me statistikat, 45 mijë kosovarë brenda vitit shkojnë në Antalya, 22 mijë maqedonas, dhe rreth 30 mijë shqiptarë të Shqipërisë.