Kosovari lëshoi banesën me qira në Zvicër, u tmerrua nga ajo që pa kur u kthye
Pronari i banesës së lëshuar me qira në Dörflingen të Shaffhausenit, Fitim Rexhepi është tmerruar nga ajo që ka parë. Qiramarrësja e tij, e cila jetonte në banesën mbi të, kishte lënë mbrapa tepër shumë mbeturina dhe papastërti, shkruan 20 minuten.
Fitimi i kishte dhënë asaj në verë njoftimin për lëshim të banesës. “Në ballkonin e saj zvarriteshin krimba”, thotë ai. Qiramarrësja i është përmbajtur njoftimit të përfundimit më 1 dhjetor, por problemi është se ajo ka shkaktuar dëme të pronës prej rreth 70.000 frangash.
Gjendjen e keqe në banesë ai e kishte vënë re për herë të parë kur kishte konstatuar se në ballkonin e qiramarrëses ndodheshin dymbëdhjetë thasë me plehra. “Unë i kërkova asaj që t’i hidhte”, thotë 35-vjeçari. Thasët më pas u zhdukën nga ballkoni, por kurrë nuk u panë në vendin ku duhet të deponohen.
Fitimi më pas ka informuar autoritetin e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rriturve (KESB) dhe policinë.
Sipas tij, qiramarrësja kishte premtuar të angazhojë një kompani për bartje të gjësendeve dhe një shërbim pastrimi.Por gjërat dolën ndryshe: “Në orën 1.30 të mëngjesit ajo barti me vete një biçikletë dhe një valixhe ndërsa në ora 4.30 të mëngjesit ajo u largua”.
Kesb Schaffhausen nuk mund të komentojë raste specifike për shkak të sekretit zyrtar, por siguron informacione të përgjithshme, shkruan më tutje gazeta.
“Nëse marrim dëshmi për gjendjen e rëndë të një personi, ne e hetojmë atë”, thotë nënkryetarja, Denise Freitag, transmeton albinfo.ch. Situata do të sqarohet dhe do të merren masat e duhura.
“Nëse në të vërtetë konstatohet gjendje e vështirë e personit dhe shohim se ai nuk është në gjendje të bëjë zgjidhjen vetë, ne reagojmë”.
Një situatë e tillë paraqet vështirësi të madhe për pronarët, sipas shoqatës zvicerane të pronarëve të shtëpive. “Në të shumtën e rasteve, e vetmja gjë që mbetet është një përfundim i menjëhershëm dhe i rregullt i kontratës mbi qiranë, në përputhje me afatin e caktuar”, thotë zëdhënësi Thomas Oberle.
Prandaj, mund të nevojiten disa muaj para se qiramarrësi të detyrohet të largohet, përcjell albinfo.ch. Në parim, qiramarrësi është gjithashtu përgjegjës për dëmin e shkaktuar dhe pastrimin e banesës. Është po ashtu vështirë nëse indikacionet e gjendjes në apartament nuk janë të qarta. Kjo për faktin se “pronari nuk mund të hyjë në apartament për të bërë inspektim pa miratimin e qiramarrësit”.
Oberle këshillon që në raste të tilla të kontaktohen të afërmit e qiramarrësit ose autoritetet sociale.