Kosovarja me fëmijë të sëmurë kërkon rrugë për të ikur nga Siria
Një grua kosovare me dy fëmijë të cilës iu vra bashkëshorti si luftëtar i ISIS’it ka mbetur e ngujuar në një kamp të refugjatëve ne Siri i cili kontrollohet nga kurdët.
Ajo ka thënë se po mundohet të largohet nëpërmjet Kryqit të Kuq për shkak se njërën vajzë e ka të sëmurë rëndë. Për këtë rast janë në dijeni autoritetet kosovare.
Në një kamp në Siri jeton edhe kosovarja M.A. me dy bijat e saj. Ajo po qëndron e ngujuar që dy vjet pasi u kap nga kurdët derisa po mundohej të largohej nga ISIS pasi që iu vra bashkëshorti.
Katër vjet më parë M.A. shkoi me të në këtë shtet aziatik për të luftuar për krijimin e Shtetit Islamik ndërkohë i lindën edhe dy fëmijët.
“Klan Kosova”, ka kontaktuar me zonjën e cila po mundohet të largohet nga duart e kurdëve.
Megjithatë M.A. që nuk deshi të publikojë emrin e plotë tregoi një hall të madh që ajo e ka.
Nga qëndrimi në kampe vajza e saj e vogël u sëmur dhe është në gjendje kritike.
“KlanKosova”, për rastin në fjalë ka kontaktuar me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të cilët ani pse nuk pranuan të flasin për raste të veçanta për shkak të ndjeshmërisë thanë që janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës është në dijeni për rastin e M.A. dhe po merren me të por nuk dhanë më shumë detaje.