Kosovë 2021 – në 13-vjetorin e Pavarësisë

16 shkurt 2021 | 14:33

Margarita SYZIU

Poemë

Të gjakosur janë ende muret e gurta

Rrugët të gjakosura janë

Dhe strehët gjak pikojnë

Edhe plisat kur i çanë

Vetëm gjak kullojnë

Edhe zemrat plasur janë

Është gjak që nuk fshihet

Nuk ikën, rri aty pa u tharë

Trarët e vjetër rënkojnë

Është gjak i pamarrë

Kosovë

Ti gjak nëpër ëndrra sheh

Gjumi të është kthyer në makth

Shumë gjak i pafajshëm u derdh

Është aty, nuk ikën kollaj

Je dhimbje Kosovë

Je dhimbje e gjallë

Je dhimbje e mbytur në lot

Je dhimbje e larë në gjak

E trarët e vjetër rënkojnë

Është gjak i paterun

Është gjak i patharë

Është dhimbje në shpirt

Është gjak i pamarrë

Gjak vrasjesh të ndërkryera

Torturash, përdhunimesh

Dhe bajoneta të ngulura

Në barkun e fëmijëve

Dhe nëna shtatzëna

Me mitrën e çarë

Kjo gjëmë e kjo bëmë

As në mesjetë nuk është parë

Urrejtje patologjike

Urrejtje të marrësh

Kurdisur me gënjeshtra

Me pazare djajsh

E trarët rënkojnë

Është gjak i paterun

Është gjak i patharë

Është dhimbje në kockë

Është gjak i pamarrë

Të mjerat gra

Të zhdukurit kërkojnë

Djemtë, vëllezërit, burrat e vrarë

Natën si në legjenda u vijnë në gjumë

E shpresën në ëndërr e mbajnë

Ato të mirat, të vuajturat

Të vejat, të fortat

E dinë që nuk kthehen të gjallë

Ata që dhunshëm nga shtëpitë i nxorën

I morën për t’i vrarë

E ato natën mezi ç’presin

Të çmallen në ëndërr, t’u thonë një fjalë

Po ëndrra shumë shpejt bëhet zhgjëndërr

E mbytet në lot e lahet në gjak

Dhe trarët e vjetër rënkojnë

Është gjak që s’e falin

Është gjak i paterun

Është gjak i patharë

Është dhimbje në shpirt

Është gjak i pamarrë

Po ti Kosovë në tokën tënde ishe

Ç’kishin me ty ata djaj
Që bijtë në kamionë t’i mbyllën
T’i mbytën, t’i helmuan me gaz
Në varre masive t’i hodhën
T’i poqën, t’i dogjën
Pa nam e nishan
E ti nuk di ku gjenden
E ti nuk di ku janë
Thërret e kërkon ndër vite
Ka mbetur ndërgjegje e vrarë
Të rrëfejë ku fshihen ato kocka
Ta kenë nga një varr ku të prehen
Një muranë për t’i qarë

E trarët e vjetër rënkojnë

Është gjak i paterun

Është gjak i patharë

Është gjak që s’e falin

Është gjak i pamarrë

Ç’ishte kjo luftë e ndyrë

As në mesjetë s’ish parë

Ju turrën vajzave e grave

Nga flokët i tërhoqën zvarrë

Foshnjat nga gjoksi ua hoqën

Me forcë, duke i sharë

Me fjalë nga më të ndyrat

O Zot, nga kishin dalë

Mes britmash, rezistimit, klithmash, ulërimash

I përdhunuan, të gjithë me radhë

Në sy të prindërve me qytë goditur

Në sy të burrave të prangosur

Në sy të vëllezërve lidhur me litar

Përpara fëmijëve të mitur

Llahtar!

Trarët nga vendi lëvizin

Rënkojnë e më s’mbajnë

Është nder i grabitur

Është jetë e koritun

Është gjak që s’e falin

Është shpirt i drobitur

Është gjak i paterun

Është gjak i patharë

Është dhimbje në shpirt

Është gjak i pamarrë

Nëna mbetur e vetme

Me bijtë të gjithë të vrarë

Tryezën çdo ditë shtron

E pjatave u flet me radhë

Hani, ju bëftë mirë

Ju flet si të ishin gjallë

E trarët e rëndë shikojnë

Si mbahen e si durojnë

Është gjak që s’e falin

Është gjak i patharë

Është dhimbje në shpirt

Është gjak i pamarrë

Kosovë

Fytyrë gruaje më merr në ëndërr

Kur të shoh me plagë, të vrarë

Po ti ngrihesh e Shotë Galicë bëhesh

Me dyfek e gërshetin e gjatë

Ti Norë Kelmendi më bëhesh

Në duel epik

E vret pashanë

Kosovë,

O Grua e bukur

O Nënë

O Çikë trimëreshë
Më burrë se burrat u bëre
E dhimbja s’të preu në besë
Lëmoshë nuk kërkove

Lëmoshë nuk prite
Me thonj e punove tokën
E bukë ju dhe fëmijëve
Jetën me dhëmbë e kape
Lotët mes gjakut gëlltisje
Norë e Shotë përzier
Kosova ime
E madhërishme

 

Dhe unë mërgimtari

Që lotët nuk m’u thanë

Në prehrin tënd vij e futem

Se malli më dogji

Sa shumë më ka marrë

Me ty isha në luftë

Me ty kam qenë çdo çast

Me ty jam në çdo dert

Me ty jam në çdo hall

Thinjat t’i prek me duar

T’i puth

Nga dhimbja t’u bënë

Për bijat e bijtë që t’u vranë

Në gjunjë të ulem

I përgjëruar

T’i puth sytë, të njomur janë

T’i prek plagët i malluar

Me ujë t’i laj nga Drini i Bardhë

 

Nuk shkruaj dot më shumë

Çdo rresht pikon gjak

Ndjej trarët tek kërcasin

Rënkojnë edhe qajnë

Është dhimbje në shpirt

Është dhimbje në palcë

Është gjak i paterun

Është gjak i patharë

Është gjak që s’e falin

Është gjak i pamarrë

 

Po të kishte sot Serbia

Një De Gol

Një burrështet të kthjellët

Të moderuar

Në Kosovë do nisej

Falje për të kërkuar

Falje për masakrat e dëbimet

Për gjithë krimet që janë bërë

Para viktimave do përkulej

Të nderonte një popull të tërë

Të bënte gjithçka

I ndërgjegjësuar

Kosovën ta njihte shtet

Me bindjen e tij, jo i detyruar

 

E trarët i ndjej që rënkojnë…

 

Kosovë, e bukura Kosovë

Ti trarët e fuqishëm

I nderon me hak

Po ti një tjetër mendësi ke

Drejtësi kërkon

Drejtësi, jo gjak

 

Toronto, shkurt 2021

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi,  me rastin e…