Kosovë, negociata të shpejtuara, por jo të nxituara
Prof. Lisen Bashkurti
Në bisedime, dialog dhe negociata shpejtësia lidhet me faktorin kohë, i cili është tejet i rëndësishëm. Lidhur me shpejtësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi vërehen gjithashtu qasje diverse në të gjitha nivelet, lokale, Rajonale dhe Euro-Atlantike. Debati në dukje ka të bëjë midis ‘shpejtimit’ dhe ‘nxitimit’. Por, në fakt, brenda këtij debati në dukje për shpejtësinë, thelbi qëndron në shfrytëzimin e konjukturave politike te aktorë e faktorë të rëndësishëm ndërkombëtar dhe te taktikat të caktuara diplomatike në shërbim të këtyre konjukturave.
Një qasje është për shpejtimin e bisedimeve me qëllim që të afrohet zgjidhja përfundimtare e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Sipas këtij opsioni ky shpejtim do të ndihmonte stabilitetin në Ballkan, do të nxiste reformat e brendshme të të dy shteteve, do të përshpejtonte rrugën e integrimit të Serbisë në BE dhe të Kosovës në NATO dhe BE. Kjo është qasja që dominon politikën dhe diplomacinë Evropiane në këtë kohë, qasje e cila duket se ka kthyer sytë nga Ballkani Perëndimorë me projekte rajonale të zhvillimit dhe me politikat Evropiane të zgjerimit. I ngarkuari i BE për ndërmjetësimin Kosovë-Serbi, Lajçak, duket se mbështetë shpejtimin, por jo nxitimin e negociatave për përfundimin e marrëveshjes.
Qasja tjetër alternative për shpejtësinë e bisedimeve Kosovë-Serbi është për nxitimin e tyre sa të jetë e mundur, me qëllim që marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse midis dy shteteve të finalizohet mundësisht brenda shtatorit të këtij viti. Kjo qasje duket se ka zënë vend në një masë të caktuar, jo krejtësisht të qartë në Shtëpinë e Bardhë. Nga media prestigjioze, analistë, diplomatë dhe personalitete Amerikane, Evropiane dhe Ballkanike mendohet se ky nxitim i diplomacisë së Shtëpisë së Bardhë është më së shumti politikisht i motivuar nga zgjedhjet presidenciale në nëntor 2020 dhe i diplomatëve në shërbim të tyre.
I ngarkuari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell duket se është mbështetës i nxitimit të negociatave dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi brenda pak muajsh. Përkujdesja e Grenellit është më shumë që t’i bëjë shefit të tij, siç thuhet gjerësisht në mediat botërore, një ‘dhuratë suksesi’ në politikën e jashtme në prag të zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit 2020, sesa vetë përmbajtja e marrëveshjes. Grenell është gati të pranojë çdo lloj kompromisi, qoftë edhe me kosto për Kosovën dhe në favor të njëanshëm për Serbinë, mjafton që të jetë një kompromis i dakordësuar nga palët dhe pastaj ceremonia protokollare e firmosjes të bëhet në Shtëpinë e Bardhë përpara presidencialeve të nëntorit 2020. Është e kuptueshme se mbas sfidave të diplomacisë Trump në Korenë e Veriut, në Iran, në Venezuelë, në Siri, në Kinë, në Palestinë e gjetkë, një ceremoni suksesi për zëmrën e Evropës, Ballkanin, Kosovën dhe Serbinë do të ishte shumë e mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë në prag të zgjedhjeve presidenciale.
Faktori politik në Kosovë, ndonëse në mënyrë jo fort të hapur, por më shumë me qëndrimet e veprimet e veta dhe më pak me retorikë politike është e ndarë në dy qasjet e shpejtësive alternative të lartpërmendura. Një pjesë është për shpejtimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, por jo për nxitimin e tyre. Pra kjo alternativë është për…‘Running, but not rushing’! Pjesa tjetër, duket më e paktë dhe nga lart-poshtë në Kosovë është për nxitimin ekstrem të bisedimeve me Serbinë, deri në fund të shtatorit të këtij viti, mundësisht të arrijë edhe marrëveshjen brenda pak muajve.
Midis palëve alternative në Kosovë, presidenti Thaçi mbështetë, deri në deklarimin e fundit para mediave në fillim të qershorit 2020, bisedime të nxituara, që të sjellin marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi ‘brenda fundit të këtij viti”. Për të arritur këtë nxitim të paarsyeshëm, të padobishëm, të padrejtë dhe me shumë rreziqe, presidenti Thaçi, me apo pa dashje po i kontribuon përçarjes së unitetit Euro-Atlantik, BE-ShBA për ndërmjetësimin ndërkombëtar Kosovë-Serbi. Kjo duket se Thaçi është duke insistuar në ndërmjetësimin e njëanshëm të ShBA, personalisht të z. Richard Grenellit si dhe është duke kundërshtuar përfshirjen e BE, personalisht z. Miroslav Lajçak.
Lojërat midis dyshes ndërmjetësuese Euro-Atlantike BE-ShBA, me qëndrimet anti-BE dhe gjoja pro-ShBA të presidentit Thaçi si dhe përpjekjet e tij për të mbështetur opsionin e nxitimit deri në theqafje të bisedimeve dhe përfundimit të marrëveshjes përpara nëntorit të këtij viti, janë jashtë çdo kuadri kushtetues si dhe jashtë çdo procesi gjithëpërfshirës parlamentar, politik dhe publik. Këto hapa personal, presidenti Thaçi, duket qartësisht se i ndërmerr për arsye politike si dhe për probleme personale me drejtësinë. Thaçi, dyshoj se është gati të bëjë kompromise të dhimbshme tejet të rrezikshme me territoret dhe ekonominë e Kosovës.
Aktorët dhe faktorët kryesorë në Kosovë kanë përvojë me negociata ndërkombëtare në Rambuje në vitin 1999, në Vjenë me Ahtisarin 2005-2007, me Brukselin 2012-2018 dhe lypet ta dinë mirë se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi është nga më të vështirat sepse tanimë ajo do të jetë një kompromis i madh jo vetëm dy palësh Kosovë-Serbi, por katërpalësh Kosovë-Serbi-BE-ShBA. Si e tillë kjo marrëveshje e kompromisit të madh do shumë kohë e maturitet dhe kurrsesi nuk mund të nxitohet brenda pak muajve apo brenda këtij viti.
Natyrisht në shpejtësinë e arritjes së marrëveshjes kanë rolin e vet edhe dy negociatorët ndërkombëtar, Grenell dhe Lajçak, profili i të cilëve do të ketë ndikimin e vet. Grenell hyri në Kosovë me pozita të trefishta të larta, si ambasador në Gjermani, si Drejtor i Shtatëmbëdhjetë Agjencive Inteligjente në ShBA dhe si mediator në bisedimet me Serbinë. Por shumë shpejtë, Grenell u lirua nga posti ambasadorial në Berlin, nga drejtimi i Shërbimeve Inteligjente të ShBA e madje edhe nga Departamenti i Shtetit. Pozita e Grenellit tanimë është reduktuar në një mediator. Si mediator Grenneli deri tani paraqitet i paqartë. Grenell është mediator, por jo aq me sjellje, qëndrime dhe veprime prej diplomati. Mediatori diplomatikisht është ndërmjetësues dhe jo imponues. Mediatori politikisht është përafrues dhe polarizues. Suksesi i Grenellit do të varet shumë nga aftësia për të përafruar politikat në Kosovë e Serbi në mënyrë që të jenë gjithëpëfshirëse dhe për të ndërmjetësuar diplomacitë e dy vendeve në mënyrë që të arrihet kompromisi.
Miroslav Lajçak është politikan dhe diplomat nga Sllovakia, vendi i të cilit nuk e ka njohur Kosovën. Por, si ndërmjetësues, Lajçak është në rolin e përfaqësuesit të BE. Bazuar në Traktatin e Bashkimit Evropian, Lajçak nuk përfaqëson në qëndrimin e tij politikën nacionale të Sllovakisë, as diplomacinë Sllovake. Çdo zyrtar i lartë i BE, nga momenti i ushtrimit të pozicionit në emër të Organizatës ‘zhvesh’ kostumin nacional dhe lë pas flamurin kombëtar, sepse vesh ‘kostumin’ e Organizatës dhe mban flamurin e saj. Suksesi i Lajçak si mediator në negociatat Kosovë-Serbi do të varet nga sa do të dijë të ndajë qartësisht dhe në mënyrë konsistente qëndrimin e shtetit nga i cili vjen, Sllovakisë prej qëndrimit të Organizatës që përfaqëson, BE.
Ndërkohë, pavarësisht profileve individuale, të dy ndërmjetësuesit, Grenell dhe Lajçak kanë një mision të përbashkët që mund të realizohet nëpërmjet adresimit të dy sfidave. Së pari, ato të dy nevojitet që të arrijnë paraprakisht kompromisin midis dallimeve të tyre, respektivisht të BE dhe ShBA, ndaj qasjes për projektit që do negociohet, për strategjinë e negocimit, për qëllimin dhe objektivat madhore, për prioritetet që do përcaktojnë për shpejtësinë e realizimit të marrëveshjes. Së dyti, pas rrafshimit të diferencave dhe arritjes së kompromisit midis tyre ato do të duhet ti bëjnë palët, Kosovën dhe Serbinë, që të rrafshojnë diferencat dhe të arrijnë marrëveshjen e kompromisit. Kjo marrëveshje e pritshme, tanimë nuk do jetë thjeshtë një kompromis dypalësh Kosovë-Serbi, por një kompromis i madh ndërmjet katërpalëve në negociata, BE-ShBA-Kosovë-Serbi.
Bazuar në këtë analizë lidhur me shpejtësinë e negociatave dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare të dalë prej tyre, është e rekomandueshme për palët alternative në Kosovë, që të fokusohen më shumë për thelbin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, që të jetë në dobi të pavarësisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndërkohë, shpejtësia e procesit negociator për arritjen e marrëveshjes, duhet t’i lihet ecurisë së vetë procesit negociator të ndërmjetësuar nga uniteti Euro-Atlantik BE-ShBA dhe mediatorëve të emëruar prej tyre, Grenell-Lajçak.
Afati kohor, ose shpejtësia e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse përfundimtare lypet të mos ndikohet kurrsesi nga konjukturat politike të qendrave ndërkombëtare dhe as nga agjendat politike apo diplomatike personale të askujt në Kosovë, në BE dhe apo në ShBA. Kosova ka lindur si projekt Euro-Atlantik, është projekt sui generis, i vështirë dhe lypet të përfundojë si i tillë deri në fund, me durim, qartësi, maturi dhe vizion. Prandaj kërkohet të shpejtohet, po jo të nxitohet.