KOSOVË PËR TY
Shkëlzen Ukëhaxhaj
Goja mbyllur të mbahet,
Zemra rrah e fjalët rreshtohen,
Për ty Kosovë gjithmonë do t’flas
Gojëmbyllur zemra do pëlcasë
Ti, Krenaria ime
Në sheshet tua u bëra burrë,
Edhe kundër tankut kundërshtova,
Me duar e gurë
Dhe s’u shtruam dot
Për ty, Kosovë, Po i them këto fjalë.
Nuk janë gjamë as nuk janë vaj,
Po duron, por n’vetmi qanë.
Nanë të ndjej edhe pse larg jam!
Kosovë!
Në qafë shumë po mban!
Politikanë – papagaj – të vetëquajtur europianë,
përmendësh mësojnë nga të tjerë,
mendjelehtë sikur erë,
Janë për t’u shitur, për t’u blerë!
Po bijtë e tu, nën pranga,
Nuk i shoh dot me sy,
Ca xhandarë në të kaltërta
Vijnë të t’pushtojnë Ty n’Prishtinë.
Nuk është koha si dikur,
Ta bëjmë qytetin katrahurë,
Por gjithçka të pranohet…!
Qafen shtrirë e këmbën mbi,
Shqiptari gjallë – kjo nuk durohet!
Unë e di, qytetarë,
Nëpër parti,
E për flamuj partish jeni përçarë.
Eh, kohë e mjegullt – kohë e zymtë!
E para, interesi i xhepit,
Atdheu, punë e dorës dytë!!!
Po ku mbeti IDEALI
Që RILINDJA në shpirt na mbolli,
E para shqiptarizma
Dhe jo kulla e Parisit as xhamia e Stambollit
Menduam ne,
Se fituam vendin në gjirin e Europës.
E këmbënmbikëmbë fodull në kolltuk,
Menduam, por fitorja nuk u duk.
Tani miqtë tanë nuk po venerojnë,
Ledhatojnë Serbinë, ne me hosten na shpojnë.
Euroshqiptarët e viktimizuar nga xhelati i Karpateve,
Prapë në gërsherët e Carit të Rusisë,
Sihariq në tavolinën e Krajlit të Serbisë.
UÇK në zemër të historisë sonë është mbjellur,
Prandaj Kosovë, mbaje fortë në gji!
Mos ta rrëmbejë grabitçari – Korbi i zi
Është gjaku i bijvë tu më të mirë!
Në histori shqiptari asnjëherë s’është dorëzuar,
Prandaj koha është për t’u bashkuar,
Në thirrjen e Vaso Pashë Shkodranit,
Duartë të bashkohen në shtizën e Flamurit të Kastriotit,
Të gjithë njëzëri n’Postulatin e Apostullit Naim t’betohemi
Për TY, Kosovë!