Kosovës i duhet ekip i unitetit për fazën finale të dialogut

15 korrik 2018 | 13:20

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka propozuar që Kosova të formojë një ekip të unitetit për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ai ka bërë me dije se brenda këtij ekipi të unitetit të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të barabartë dhe të kenë të drejtë në vendimmarrje.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ferati ka thënë se në këtë mënyrë të gjithë do ta merrnin përgjegjësinë që u takon.

“Mendoj se duhet të bëhet një grup i unitetit ku të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të barabartë dhe aktivë. Në këtë grup vendimet duhet të diskutohen dhe të jenë transparente, e jo të thuhet se unë jam kryetari dhe për këtë nuk e pyes askënd. Pra, duhet të krijohet një grup i unitetit, i mirëbesimit të plotë, ku vendimmarrja të vijë pas shterimit të debatit. Ky grup i unitetit dhe i mirëbesimit të plotë duhet të jetë trup vendimmarrës”, ka thënë Ferati.

Ai ka deklaruar se partitë politike duhet të gjejnë një konsensus rreth fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë ani pse ka pranuar se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur. Sipas Feratit, vështirësitë për arritjen e këtij qëllimi janë rritur pasi është humbur besimi në mes të subjekteve politike.

“Pjesëmarrja e të gjithëve në këtë proces do të ishte puna më e mirë. Mirëpo problemi i politikës së Kosovës është tek humbja e besimit në mes aktorëve politikë. Është humbur besimi dhe deri më tani ka pasur një injorim nga njëra palë dhe pala tjetër. Tani është problemi se si të ndërtohet ai mirëbesim”, ka thënë Ferati.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka bërë me dije se në këtë proces të gjitha subjektet politike duhet ta marrin përgjegjësinë që u takon. Sipas Feratit, rezultatet e këtij procesi do të jenë për të gjithë qytetarët e vendit. “Realisht secili duhet ta marrë përgjegjësinë. Kur them secili, mendoj se të gjithë duhet të jenë pjesëmarrës, sepse nganjëherë përgjegjësia varet se si shkon, nëse flitet vetëm në emër të institucioneve atëherë dihet se kujt ia ka dhënë populli besimin. Ndërkaq, nëse flasim për përgjegjësi të tjera, natyrisht se përgjegjësi duhet të kenë të gjithë”, ka thënë Ferati.

“Epoka e re”: Z. Ferati, përpjekja e subjekteve politike për të arritur një konsensus nacional për temat e mëdha, sidomos për dialogun me Serbinë, ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat. Si mendoni se mund të arrihet deri te konsensusi?
Ferati: Çështja e dialogut është një interes nacional dhe rezultatet e këtij procesi nuk do t’i trashëgojë vetëm një gjeneratë e politikës, por do t’i trashëgojë shteti dhe populli në përgjithësi. Prandaj pjesëmarrja e të gjithëve në këtë proces do të ishte puna më e mirë. Mirëpo problemi i politikës së Kosovës është tek humbja e besimit në mes të aktorëve politikë, sepse ka humbur besimi. Deri më tani ka pasur një injorim nga njëra palë dhe pala tjetër. Tani është problemi se si të ndërtohet ai mirëbesim.

“Epoka e re”: Si do të duhej të kalohej ky mosmosbesim në mes të subjekteve?
Ferati: Vërtet nuk është lehtë të ndërtohet konsensusi ngaqë, siç thashë, është humbur mirëbesimi në mes të aktorëve politikë. Megjithatë, duhen përpjekje në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Cili duhet të jetë qëndrimi i LDK-së ndaj këtij procesi, meqenëse deri më tani kemi pasur disa qëndrime të ndryshme të këtij subjekti politik?
Ferati: I kam parë deklaratat. Gjithë problemi ka dalë te humbja e besimit që kanë aktorët. Mendoj se është dashur të ulet dhe të bisedohet për këtë çështje. Nuk ka nevojë askush të rrezikojë më shumë sesa duhet për shkak të interesave të ndryshme. Pra, është i nevojshëm që në mënyrë të mirëfilltë të ndërtohet një konsensus dhe të vazhdohet përpara në këtë drejtim. Konsensusi nuk është detyrë vetëm e një pale, por e të gjitha palëve. Po them se partitë duhet të ulen dhe të gjejnë pika të përbashkëta për këtë çështje dhe mënyrën se si do të ecet tutje në këtë proces.

 

“Epoka e re”: Do të duhej që secili subjekt politik ta marrë përgjegjësinë që i takon në këtë proces, meqenëse dialogu me Serbinë është një temë që u takon të gjithëve?

Ferati: Realisht secili duhet ta marrë përgjegjësinë. Kur them secili, mendoj se të gjithë duhet të jenë pjesëmarrës në këtë proces. Nganjëherë përgjegjësia varet se si shkon, nëse flitet vetëm në emër të institucioneve, atëherë dihet se kujt ia ka dhënë populli besimin, por nëse flasim për përgjegjësi të tjera, natyrisht se përgjegjësi duhet të kenë të gjithë. Pra, të gjithë duhet t’i marrin përgjegjësitë dhe të shkohet më tutje. Të kuptohet se përgjegjësia për këtë proces është e të gjithëve. Dialogu me Serbinë është temë e madhe dhe nuk duhet të mbetet peng i politikbërjes tonë, që është humbur besimi. Kosova nuk duhet të mbetet peng e kësaj situate.

“Epoka e re”: Debati po zhvillohet rreth asaj se si duhet të jetë delegacioni i Kosovës në këtë proces, dhe a duhet atë ta drejtojë presidenti. Cila do të ishte formula më e mirë?
Ferati: Nëse çështja është te legjitimiteti, atëherë ne e dimë se presidenti ka legjitimitet sikurse ka kryetari i Kuvendit dhe kryeministri. Pra, le të vazhdojnë ata sikurse në mandatin e kaluar, ku opozita nuk ka marrë pjesë në këtë proces. Ndërsa tani ajo opozitë që sot është në pushtet po thërret që të bëhemi bashkë. Unë nuk po shoh gatishmëri që të thërrasin për një ekip të unitetit, i cili do ta ketë peshën e vet, e jo të thirret vetëm sa për të thënë. Nuk di nëse ka asi sinqeriteti që ekipi i unitet të marrë vendime kolektive. E shoh se halli i LDK-së është se ai i besohet kësaj forme të përfaqësimit, që opozita të jetë aty, por që pastaj të vendoset sipas vijës institucionale, ku fjalën kryesore e ka presidenti ose kryeministri. Ne marrim përgjegjësi nëse jemi një organ kolektiv, ku të gjitha çështjet diskutohen në mënyrë shumë transparente. Ekipi i unitetit e ka kuptimin kur ka unitet. Deklarimin e LDK-së për këtë çështje, pra për dialogun, unë e shoh një frikë të tyre se aty mund të jenë vetëm formalisht. Tash nuk e di nëse kjo frikë është e arsyeshme apo e paarsyeshme.

“Epoka e re”: Pra, ju sugjeroni një ekip të unitetit ku të gjithë të jenë të barabartë në procesin dialogues me Serbinë?
Ferati: Absolutisht po. Mendoj se duhet të bëhet një grup i unitetit ku të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të barabartë dhe aktivë. Në këtë grup vendimet duhet të diskutohen dhe të jenë transparente, e jo të thuhet se unë jam kryetari dhe për këtë nuk e pyes askënd. Duhet të krijohet një grup i unitetit, i mirëbesimit të plotë, ku vendimmarrja të vijë pas shterimit të debatit. Pra, ky grup i unitetit dhe i mirëbesimit të plotë duhet të jetë trup vendimmarrës.

“Epoka e re”: Cilat duhet të jenë vijat e kuqe të Kosovës në këtë fazë të dialogut?
Ferati: Natyrisht se Kosova duhet të ketë vija të kuqe në këtë proces. Ato duhet të jenë të lidhura me interesin e shtetit të Kosovës. Ne duhet të kemi mirëkuptim për të gjitha variantet, por asnjë kompromis nuk duhet të jetë që ta dobësojë funksionimin e institucioneve të shtetit. Pala serbe vazhdimisht pretendon në një kompromis i cili dëshiron t’i përngjajë një entiteti politik, i cili koncentirmin më të madh do ta ketë në pjesën e veriut. Prandaj po them se duhet të kemi kujdes në këtë fazë të dialogut, sepse kjo fazë nuk është pa rreziqe. Nuk do të duhej të bëhen zgjidhje që në emër të një akomodimi të krijohet një fuqi obstruktive, e cila vazhdimisht do të bënte obstruksione. Vijë e kuqe për Kosovën është Kushtetuta dhe pavarësia e saj. Tani Kosova nuk mund të kthehet mbrapa dhe ta dëmtojë idealin që ka pasur. Duhet të kuptohen qartë se cilat janë kompetencat nacionale dhe cilat janë ato lokale dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve. Asnjë komunitet nuk ka asnjë arsye të kërkojë të drejtat që pastaj ato të drejta do ta rrezikojnë komunitetin tjetër, apo ta rrezikojë funksionimin e shtetit të Kosovës. Pra, asetet kombëtare duhet të mbesin kombëtare dhe kompetencat kombëtare duhet të mbesim kombëtare.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja britanike, Theresa May, ka bërë me dije se presidenti…