Kosovës i nevojitet edhe sovraniteti i jashtëm dhe jo vetëm të jetë e pavarur!
Shkruan: Prof. dr. Fejzulla BERISHA, Profesor në Universitetin Publik-Fakulteti i Drejtësisë.
Borreli t’i përmbahet, Deklaratës të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, deklaratë e legjitimuar me mendimin këshillues të GJND-së dhe mos të bëhet tellall i Serbisë hegjemoniste!
Kosova ka nevojë të është sovrane dhe jo vetëm e pavarur. Aktet juridio-politike të miratuara nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, të kenë efekt juridik dhe atë në tërë tërësinë territoriale të saj!
Kërkesa e Lajçakut dhe e të tjerëve për ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për të përfshirë marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin (Zajednicën), do të thotë revidim i Marrëveshjes Ahtisaari dhe revidim i opinionit këshillëdhënës të GJND-së, do të thotë revidim i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në konferencat-takimet e ndryshme ndërkombëtare kur të ballafaqohen me përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, t’i parashtrojnë argumentet autentike, si më poshtë përndryshe nuk kanë mandat-kompetenca veprimi.
Me palën serbe nuk duhet dialoguar derisa nuk pranon të jemi palë të barabarta. Qeveria aktuale-pozitë dhe opozitë duke u shërbyer me ekspertizë profesionale marrë nga ekspertët e ndryshëm dhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të mos dialogojnë me Serbinë por me SHBA-në dhe BE-në, sepse kjo qeveri e Serbisë dhe ato të kaluarat, kryen gjenocid ndaj shqiptarëve deri në shfarosje.
Statusin e Republikës së Kosovës e ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – (GJND), me 22 Korrik 2010.
Rasti i Kosovës është sui generis!
Rasti i Kosovës është sui generis, ndërsa argumentet e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës kundër Deklaratës së Pavarësisë kanë anë sipërfaqësore. Nëse i referohemi ekskluzivisht shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ajo ngërthen në vete gjithsesi harmoninë e saj me të drejtën ndërkombëtare si e drejtë natyrore dhe me të drejtën pozitive.
Askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Republikës së Kosovës, në qoftë se ne i besojmë vetvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në vullnetin dhe në përgjegjësinë e shtetasëve të Republikës së Kosovës dhe jo tellallit të Serbisë hegjemoniste, zotit Borrel etj.
Nuk mund të jenë përfaqësuesit e Evropës ata që të kujdesën për të drejtën e brendshme që ata të ndryshojnë kufijtë dhe shkëmbejnë territore, apo dhe t’i legjitimojnë enklavat serbe.
Prandaj është e padenjë që mos guximin tonë për t’iu m veshur dialogut ta arsyetojmë me rrezikun e “copëtimit -ndarjes apo shkëmbim të territoreve” të Kosovës, kjo kategori kushtetuese është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës 2008, dhe është vullnet i përfaqësueseve të Republikës së Kosovës.
Duhet të besojmë fuqishëm në SHBA-të dhe në BE-në, përkatësisht në shtetet e Evropës, të cilat shtete bëjnë ekonomi, politikë dhe diplomaci dhe të besojmë natyrshëm në përfaqësuesit e Republikës së Kosovës. Kjo është e vetmja qasje për dialogun.
Popullzimi dhe sintagma e bajraktarizmit nuk na qojnë askund. Vetëm vendet me ideologji dogmatike kanë mbijetuar deri në fundin e tyre, duke krijuar kundërshtarë dhe armiq. Nuk është populli që krijon popullzimin por janë populistët që e mashtrojnë popullin. Rreziku i populistëve është kur paraqitën që dinë atë që se dinë apo dhe e dinë…! O populist mos prekni ndjesitë e parealizuara të njerëzve për të u ngritur, Ju që simuloni që dini atë që se dini, kur të tjerët po e dinë që vërtet Ju s’po dini…!
Shtetësia e Kosovës nuk është dhuratë që dikush i dhuron dikujt, por diçka që buron nga populli dhe që duhet t’i shërbejë atij. Kjo është dhunti natyrore!
Kosova e ka shpallur pavarësinë në këtë territor dhe në këta kufijtë, kufijtë të njohur me kushtetutën e RSFJ dhe KSAK-1974, Deklaratën Kushtetuese 2 Korrik 1990, Kushtetutën e Republikës së Kosovë Shtator 1990, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së Nr.1244 Qershor 1999, Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (është akt juridik i miratuar nga Kuvendi i Kosovës me ndihmën dhe nën ombrellën e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, e cila hyri në fuqi më 15 maj 2001), Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës 17 Shkurt 2008, Kushtetutën e Republikës së Kosovës 2008, të cilat përkojnë me Rendin e Ri Ndërkombëtar.
Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë 2010, dokumente të cilat konfirmojnë me vullnetin e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës me 17.02.2008.
Qeveria e Serbisë e inicojë procedurën duke pyetur nëse Deklarata e Pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar, procedurë që inicioi procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë bëri publik mendimin rekomandues për Kosovën ku thuhet se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, 22 Korrik 2010. Edhe pasi e morën përgjigjen, autoritetet e Serbisë nuk po e njohin opinionin-vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, prandaj s’kemi arsye ta hapim këtë temë, sepse e hapim temën e pavarësisë së shtetit tonë, të cilën e ka përmbyllur mendimi-opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, po ashtu, nuk kemi arsye të frikësohemi nga dialogu me SHBA-në dhe BE-në, por jo me Serbinë.
Duhet të dialogojmë që në këta kufij dhe me këtë territor që e kemi, të na njoh Serbia, të anëtarësohemi në OKB, të na njohin edhe pesë vende të BE-së dhe të anëtarësohemi në NATO. Ky është interes i shtetit tonë i drejtpërdrejtë, është edhe interes i ndërmjetësueseve të SHBA-së dhe atyre të BE-së, sepse me këtë sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të botës dhe hapet perspektivë e re e zhvillimit ekonomik.
Para se të dialogojmë me SHBA-në dhe BE-në, duhet të i rikujtojmë përfaqësueseve të SHBA-së dhe BE-së se kusht për ndonjë Konferencë Ndërkombëtare e cila pritet të mbahet të jetë njohja e faktit se Serbia gjatë gjithë historisë kreu shumë krime deri në shfarosje masovike.
Intelektualët serbë kanë elaboruar projekte të ndryshme anti-shqiptare, ku janë të shquar si: Jovan Cvijic, Vaso Çubriloviç, Ivo Andriç, Vukotiq, Stevan Moljeviq, Sllobodan Millosheviq e të tjerë, ku për zbatimin e këtyre projekteve, regjimet e Serbisë ushtruan gjenocid mbi shqiptarët dhe atë që nga largimi i Perandorisë Osmane Turke e deri më 1999. Për të gjitha këto bashkësia ndërkombëtare duhet ta detyrojë Serbinë t’i pranojë krimet deri ne shfarosje që kanë ushtruar gjatë gjithë historisë ndaj shqiptarëve, dhe me këtë të bëhet dëmshpërblimi përndryshe Serbia projektet kriminale…i mbanë në sirtarët e saj…!