Kosovës i shtohet edhe një parti e re, në Drenas themelohet BD-ja
Bashkimit Demokratik (BD) do të jetë partia më re, e themeluar tash së fundmi në Drenas. Lajmin e ka bërë me dije në “Facebook” Zeqir Bekolli, i cili ka shpërndarë edhe komunikatën e kësaj partie.
Në komunikatën për medie, thuhet se kjo parti tashme ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrim.
Bashkimit Demokratik është me orientim pro ShBA-së, vlerave euroatlantike, BE-së dhe NATO-s.
“Bazuar në rrethanat politike në vend dhe në komunën e Drenasit, një grup intelektualësh të këtij mjedisi, të përkrahur edhe nga qytetarët e shumtë, ka kohë që janë marrë vesh për formimin e një partie politike. Pas një pune, pothuaj njëvjeçare, tashmë janë gati aktet normative, simbolet, organet dhe është caktuar selia e partisë. Ndërsa, në KQZ është dorëzuar kërkesa për regjistrim. Kurse këtyre ditëve pritet edhe prezantimi publik i partisë. Partia politike e emëruar, ‘Bashkimi Demokratik’, është me orientim pro ShBA-së, vlerave euroatlantike, BE-së dhe NATO-s. Si parti e qendrës, ‘Bashkimi Demokratik’ është një formacion politik i pozicionuar në mënyrë të balancuar në spektrin politik, duke kombinuar elemente të politikës së majtë dhe të djathtë, që kërkon të ofrojë zgjidhje të moderuara dhe përpiqet të përmbushë interesat e një grupi të gjerë qytetarësh, pa u angazhuar plotësisht për ideologji të ekstremit të majtë ose të djathtë. Objektiv i Partisë ‘Bashkimi Demokratik’, në këtë fazë, do të jetë gara komunale, që mbahet vitin e ardhshëm në komunën e Drenasit, dhe krijimi i një konkurrence demokratike për një klimë sa më të përshtatshme në komunë, për një zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi e infrastrukturë cilësore, që do t’i krijojë kushte qytetarit për një jetë shumë më të mirë, se deri më tash”, theksohet në komunikatën e BD-së.