Kosovës nuk i duhet një vendim i përshpejtuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

14 maj 2019 | 07:15

Politologu Bardhyl Mahmuti ka thënë se Kosova nuk është vonuar për ta paditur Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Përkundrazi, ai ka theksuar se në kontekstin politik dhe shoqëror nëpër të cilin kalojmë çdo përshpejtim i akuzës do të kishte qenë në favor të Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bardhyl Mahmuti ka deklaruar se Kosovës nuk i duhet një vendim i përshpejtuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por një vendim i drejtë që do ta ndëshkonte gjenocidin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se tribunali për krimet serbe në Kosovë mund tërealizohet përmes shtimit të amendamenteve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Epoka e re”: Z. Mahmuti, para disa ditësh publikuat një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, së cilës i bashkëngjitët një Projektrezolutë për gjenocidin serb në Kosovë. Iniciativa u prit mirë dhe këtë javë pritet që Kuvendi i Kosovës ta miratojë këtë projekt. Çfarë mund të thoni lidhur me këtë çështje?

Bardhyl Mahmuti: Pavarësisht se një numër i konsiderueshëm i politikanëve shqiptarë denoncojnë Serbinë për gjenocid gjatë luftës në Kosovë, është fakt se nuk kemi asnjë vendim të institucioneve shtetërore që e kualifikojnë krimin e shtetit serb si të tillë. Fatkeqësisht, disa iniciativa të mëparshme dështuan dhe i fundit në këtë drejtim ishte propozimi i PDK-së i datës 27 mars 2015. Tani kemi një frymë pozitive rreth kësaj çështjeje dhe merita u takon të gjithë deputetëve që kanë punuar për të pasur qëndrime të njëjta rreth këtij projekti dhe atyre që do ta miratojnë. Miratimi i një rezolute të tillë do të shënojë një hap përpara drejt harmonizimit të qëndrimeve rreth kualifikimit të krimeve gjatë luftës në Kosovë dhe do ta krijojë bazën e nevojshme për amendamentet në ligjin e Kosovës me të cilat do të dënoheshin të gjithë ata që mohojnë gjenocidin serb në Kosovë. Përveç aspekteve të brendshme, kjo rezolutë do të hapë mundësi që të punohet në rrafshin ndërkombëtar, me qëllim të përhapjes të së vërtetës se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi.

“Epoka e re”: Shpesh dëgjohet se jemi vonuar dhe se është dashur shumë më herët të bëjmë padi kundër Serbisë për krimin e gjenocidit. A mendoni se jemi vonuar në këtë drejtim?

Bardhyl Mahmuti: Jo. Nuk jemi vonuar për të bërë padinë për gjenocidin serb në Kosovë. Përkundrazi, në kontekstin politik dhe shoqëror nëpër të cilin kalojmë,çdo përshpejtim i akuzës do të kishte qenë në favor të Serbisë. Të mos harrojmë se edhe në mesin tonë nuk ka konsensus rreth kualifikimit të asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Njëri godet thumbin e tjetri patkoin. Me keqardhje duhet të pranojmë se një numër i konsiderueshëm i politikanëve dhe gazetarëve që kanë një rol të madh në krijimin e opinionit publik nuk e kanë të harmonizuar terminologjinë që përdorin kur bëhet fjalë për krimet serbe në Kosovë. Në rrafshin ndërkombëtar gjendja është tejet e pafavorshme për ne. Në vend se të ndëshkohet Serbia për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, sot kemi krijimin e një gjykate që do t’i trajtojë sajesat e Shërbimit Sekret Serb kundër UÇK-së. Ai i cili do të kishte ngritur padi kundër Serbisë në këtë kontekst ndërkombëtar do t’i kishte bërë shërbim të madh Serbisë, sepse vendimi do të kishte qenë i disfavorshëm për ne. Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina ngritën akuza kundër Serbisë për krim të gjenocidit pa krijuar paraprakisht kontekstin e favorshëm në opinionin publik ndërkombëtar. Rezultati final ishte negativ, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hodhi poshtë akuzat kundër Serbisë.Kosovës nuk i duhet një vendim i përshpejtuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por një vendim i drejtë që do ta ndëshkonte gjenocidin serb në Kosovë. Për t’i rritur gjasat e realizimit të ngadhënjimit të drejtësisë duhet të punojmë shumë si në rrafshin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë të brendshëm. Në të kundërtën do të korrim rezultate negative. Me një fjalë, ai i cili do të shpejtonte të ngrihej akuza për gjenocid kundër Serbisë, në këtë kontekst të raportit të forcave në skenën politike ndërkombëtare, do të bënte një veprim antikombëtar.

“Epoka e re”: Në çfarë drejtimi duhet të orientohet puna sqaruese e opinionit publik ndërkombëtar që të rritet mbështetja për ngadhënjimin e drejtësisë?

Bardhyl Mahmuti: Po marr shembull dëshminë e Vasfije Krasniqit para Kongresit Amerikan për dhunën seksuale dhe tmerrin që ka përjetuar gjatë luftës. Dhuna seksuale ndaj femrave shqiptare përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, sepse Neni II, paragrafi (b) i kësaj, cilëson si forma të gjenocidit edhe cenimin e rëndë të integritetit fizik ose mendor. Shihni reagimin e Serbisë pas kësaj dëshmie. Thjesht janë tërbuar, sepse janë të vetëdijshëm se kjo formë e komunikimit do ta nxjerrënë dritë të vërtetën për krimet e tyre. Një segment tjetër i veprimtarisë është shpërndarja në qarqet universitare në botë të veprave që ndriçojnë këto aspekte të luftës në Kosovë, sepse në universitete krijohen politikanët, historianët, gazetarët, sociologët dhe intelektualët e profileve të ndryshme të çdo vendi. Duhet t’u ofrohet mundësia që të njihen me të vërtetën e gjenocidit serb në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Mahmuti, si e keni parë iniciativën e institucioneve për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë? A është e vonuar kjo iniciativë duke pasur parasysh se po bëhen 20 vjet prej kur ka përfunduar lufta dhe deri më tani vetëm pjesëtarët e UÇK-së janë gjykuar dhe dënuar për krime të luftës nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare?  

Bardhyl Mahmuti: Edhe pas dy dekadash nga koha kur në Kosovë shteti serb kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, drejtësia nuk ka ngadhënjyer. Mbi dhjetë mijë familje të 1 392 fëmijëve të vrarë, të 1 739 grave të vrara dhe mijëra civilëve tjerë të të gjitha moshave që u vranë gjatë luftës në Kosovë presin drejtësi; Mbi njëzet mijë gra shqiptare ndaj të cilave u përdor dhunua seksuale presin drejtësi;Mbi 1 600 familje shqiptare, të cilët ende nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre, presin drejtësi. Lista e krimeve të pandëshkuara të shtetit serb gjatë luftës në Kosovë është shumë e gjatë. Këto fakte e bëjnë legjitime iniciativën për krijimin e një gjykate që do t’i ndëshkonte krimet të cilat nuk vjetërsohen asnjëherë.Mirëpo, për të krijuar një gjykatë ndërkombëtare që do ta ndiqte zinxhirin komandues dhe kriminelët që kryen gjenocid në Kosovë, duhet që OKB-ja të sjellë vendim për këtë gjë. Fatkeqësisht, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka shtete që do të përdornin të drejtën e vetos për ta bllokuar çdo iniciativë që ndëshkon Serbinë. Për këtë arsye e vetmja rrugë që të jemi sa më efikas në këtë çështje mbetet të shqyrtohet mundësia e amendamenteve në Ligjin Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.Shtimi i amendamenteve që do ta hapte rrugën e krijimit të dhomave të veçanta për të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë është rruga më e sigurt dhe me më pak pengesa për realizimin e tribunalit për krimet gjatë luftës në Kosovë.

“Epoka e re”: Në kohën kur pjesëtarët e UÇK-së po intervistohen nga Gjykata Speciale, Dick Marty ka paralajmëruar dëshmi të reja, kinse për krime të luftës në Kosovë. si e komentoni këtë fushatë të tij dhe të Serbisë kundër Kosovës?

Bardhyl Mahmuti: Reagimet e tërbuara të Serbisë janë të ndërlidhura me vendimet që kanë marrë institucionet e Kosovës. Krijimi i ushtrisë së Kosovës, taksa 100 për qind për produktet e Serbisë, dëshmia e Vasfije Krasniqit para Kongresit Amerikan, projektrezoluta për gjenocidin serb, iniciativa për tribunal që do t’i ndëshkonte krimet serbe në Kosovë,mundësojnë shpjegimin e mënyrës së sjelljes së shtetit serb dhe medieve të kontrolluara prej tij. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe mobilizimi i argatëve të këtij shteti, të llojit të Dick Martyt, që pranuan ta vënë emrin e vet në raportin e përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Nuk më habit aspak nëse Dick Marty do të përpiqet të dorëzojë lloj-lloj dëshmish të reja të cilat do t’ia përpilojë Shërbimi Sekret i Serbisë. Nuk mund t’i di me saktësi të gjitha motivet të cilat e detyrojnë Dick Martyn të veprojë në këtë mënyrë, por sikur të ishte i pavarur në gjykimet e veta, pasi që ka lexuar librin tim, Dick Marty do t’i kërkonte falje popullit shqiptar, në veçanti UÇK-së për vendosjen e emrit të vet në një raport të përpiluar nga një shërbim sekret që është i mbështetur në sajesa të pavërteta. Ne nuk duhet të habitemi për sjelljen e tillë të Serbisë, për arsye se në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore janë njerëzit e edukuar dhe ngritur politikisht nga Sllobodan Millosheviqi. Si konkluzion për atë pse Serbia vepron në këtë mënyrë dhe a ka gjasa që ky shtet ta ndryshojë qëndrimin për atë që ka ndodhur në Kosovë, po e citoj gazetarin serb Mirosllav Filopoviqin, i cili, për shkak se ngriti zërin kundër krimeve serbe në Kosovë, u dënua me 7 vjet burg nga shteti serb. Në analizën e tij të titulluar Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet,Mirosllav Filopoviqi thotë: Perëndim Millosheviqin moti e kanë quajtur ‘kasap të Ballkanit’ dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Gjermania e para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të nëntëdhjeta. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër i intelektualëve, i shkencëtarëve dhe i artistëve më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviqit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin se me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë ‘nga dora serbe’ pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre”. Më qartë nuk ka si të thuhet! Për arsyet e lartpërmendura askush nuk duhet të habitet pse në Ditën e Evropës, kur bota e civilizuar feston ngadhënjimin ndaj nazizmit, Serbia organizoi paradën ushtarake në Nish të udhëhequr nga gjenerali serb i dënuar për krime gjatë luftës në Kosovë, Vlladimir Llazareviq.

(Shqipe Hetemi)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se paga minimale…