Kosovës po i ikin profesionistët shëndetësorë, kërkohet ndërhyrja e ministrit Ismaili
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka reaguar rreth ikjes së profesionistëve shëndetësorë për shkaqe të keqmenaxhimit, risistemimit sipas kritereve të përshtatshmërisë politike, inateve, smirës dhe plotësimit të tekave të disa menaxherëve të padijshëm.
Rreth kësaj dukurie, FSSHK-ja i ka bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, të ndërhyjë urgjent në rastet e tilla, konkretisht të rastit të fundit të dorëheqjes nga puna në sistemin publik shëndetësor të kirurgut dr. Besnik Bicaj i cili këtë veprim e ka ndërmarrë si pasojë e presionit menaxherial.
“Duke pasur parasysh kohën kur vendit tonë po i ikin njerëzit e kualifikuar dhe të dëshmuar në punët e përditshme. Kur i shtohet kësaj edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë për shkaqe të keqmenaxhimit, risistemimit sipas kritereve të përshtatshmërisë politike, inateve, smirës dhe plotësimit të tekave të disa menaxherëve të padijshëm dhe të papërgjegjshëm atëherë arrihet kulmi i pakënaqësisë dhe i dezorganizimit të sistemit shëndetësor”.
“Ftojmë ministrin e Shëndetësisë për ndërhyrje urgjent në këtë rast, siç është rasti i dorëheqjes nga puna në sistemin publik shëndetësor të kirurgut të mirënjohur Dr. Besnik Bicaj i cili këtë veprim e ka ndërmarrë si pasojë e presionit menaxherial. FSSHK-ja ka informuar se ky nuk është rast i vetëm, pasi ekziston rreziku që kjo të kthehet në dukuri. Pyetja është se kush humb dhe kush fiton në këtë rast”, është theksuar në reagimin e FSSHK-së.
/Epoka e re/