Kostoja e luftës së Erdoganit për “pavarësinë ekonomike” të Turqisë

04 janar 2022 | 08:07

Çmimet e konsumit në Turqi janë rritur në shkallën më të lartë që nga viti 2002, duke minuar më tej betejën jo të zakonshme të presidentit, Recep Tayyip Erdogan për “pavarësinë ekonomike” të vendit të tij në zhvillim.

Analistët ia atribuojnë rritjen e inflacionit në 36.1 përqind muajin e kaluar (sipas shifrave zyrtare), rritjes së kostos së importeve, të cilat variojnë nga energjia deri te shumë prej lëndëve të para që prodhuesit e Turqisë i kthejnë në eksporte.

Këto kosto u rritën për shkak të një kolapsi historik të lirës, e cila vitin e kaluar humbi 44 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit.

Por, përfundimisht, analistët fajësojnë si për inflacionin, ashtu edhe për krizën e lirës, besimin e zjarrtë të Erdoganit se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion.

Teoria konvencionale thotë se e kundërta është e vërtetë, sepse normat e larta të interesit ngadalësojnë aktivitetin ekonomik duke e bërë huamarrjen më të shtrenjtë dhe duke ofruar stimuj për njerëzit që të mbajnë paratë e tyre në bankë.

Më poshtë është një përmbledhje e enigmës ekonomike të Turqisë:

Si nisën problemet?

Duke i quajtur normat e larta të interesit “nëna dhe babai i çdo të keqeje”, Erdogan orkestroi një seri uljesh të normave të interesit duke filluar nga shtatori, që minuan më tej besimin e ekonomistëve në pavarësinë e Bankës Qendrore.

Erdogan, i cili ka shkarkuar tre guvernatorë të Bankës Qendrore që nga korriku i vitit 2019, ka refuzuar të pranojë çdo përgjegjësi për rënien e lirës ose rritjen e mëvonshme të çmimeve.

“Unë hedh poshtë politikat që do ta dënojnë popullin tonë me papunësi, uri dhe varfëri”, tha ai vitin e kaluar, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të jenë të durueshëm.

Valuta turke u dobësua të hënën (3 janar), duke u tregtuar me 13.4 lira për çdo dollarë, pas publikimit të të dhënave të inflacionit.

Lira ra deri në 18.4 për dollarë në kulmin e krizës muajin e kaluar, pasi e nisi vitin rreth 7.4.

Sa e rëndë​ është kriza?

Objektivi zyrtar i inflacionit të Turqisë është pesë për qind, por ai ka mbetur dyshifror në dy vjetët e fundit.

Leximi mujor i inflacionit është kthyer në një çështje politike të kontestuar, me liderët e opozitës që pretendojnë se Qeveria po raporton më pak rritjet aktuale të çmimeve, një akuzë që Qeveria e mohon.

Institutet e pavarura ekonomike si Grupi i Kërkimeve të Inflacionit (ENAG) llogaritën normën vjetore të inflacionit të muajit të kaluar në 82.8 për qind.

“Edhe në shifrat që ata i shpikin, inflacioni i prodhuesve vendas është gati 80 për qind,” shkroi të hënën në Twitter kreu i partisë kryesore opozitare, Kemal Kilicdaroglu.

Opozita po kërkon zgjedhje të parakohshme për të adresuar krizën, por Erdogan këmbëngul se ato do mbahen siç është planifikuar në qershor të vitit 2023.

Kostoja e jetesës pritet të rritet më tej, veçanërisht pas rritjes së çmimit të faturave të energjisë elektrike dhe gazit të konsumatorëve prej rreth 50 dhe 25 për qind, respektivisht.

Çfarë pret Erdogani?

Presidenti po i jep përparësi rritjes, në ekonominë që pritet të zgjerohet për nëntë përqind në 2021 dhe 3.5 përqind në 2022.

Gjatë një krize tjetër valutore në vitin 2018, banka qendrore rriti në mënyrë agresive normën kryesore të interesit, por gjasat për një përsëritje nën një Erdogan më të vendosur, janë të ulëta.

Erdogan ka përmendur më parë rregullat islamike kundër fajdeve për të justifikuar mosrritje të normave, duke sugjeruar se ata që përpiqen të ruajnë kursimet e tyre duke i kthyer ato në valutë dhe ar, ishin tradhtarë.

Disa ekspertë besojnë se Erdogan mund të përpiqet ta bëjë Turqinë më tërheqëse si një qendër për prodhim të lirës, me paga lokale që vlejnë më pak në terma të dollarit.

Gjatë një fjalimi televiziv në Stamboll, Erdogan të hënën përshëndeti një rritje prej 32.9 për qind nga viti në vit në eksporte, që arriti në 225.3 miliardë dollarë më 2021.

Një burrë mban mallra në shpinë në një zonë tregtare në Stamboll, Turqi, të martën, 2 nëntor 2021. Shumë konsumatorë turq po përballen me vështirësi në rritje pasi çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera janë ngritur në vitet e fundit.

Si është përgjigjur Erdogani?

I vetëdijshëm për rëndësinë që i jepet vlerës së lirës kundrejt dollarit dhe euros nga konsumatorët dhe bizneset, Erdogan zbuloi muajin e kaluar një politikë të re për të mbrojtur monedhën vendase kundër luhatjeve në kursin e këmbimit.

Derisa lira është rritur që atëherë, ekspertët vënë në dyshim nëse ajo është e qëndrueshme dhe do të jetë e mjaftueshme për të shmangur dobësimin e mëtejshëm të monedhës.

Rezervat neto të valutës së huaj të Turqisë ranë në 8.6 miliardë dollarë javën e kaluar – nga 21.2 miliardë dollarë dy javë më parë – duke mbështetur më tej pretendimet e opozitës se Qeverisë po i mbaronin paratë ndërsa indirekt përpiqej të mbështeste kursin e këmbimit.

Qeveria ka raportuar vetëm ndërhyrje të kufizuara në valutë.

Erdogan ka rritur gjithashtu pagën minimale mujore në 4,253.40 lira (rreth 315 dollarë), që është ende më e ulët në terma të dollarit sesa vlente paga minimale në janar të vitit 2021.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata e Ushqimit dhe Barnave, FDA miratoi sot dozën e…