KOSTT dhe Lindja Solare L.L.C. nënshkruajnë marrëveshjen e kyçjes për Parkun Solar Kramovik

28 shkurt 2025 | 15:40

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri dhe Luisa Helms përfaqësuese e Lindja Solar L.L.C. kanë nënshkruar marrëveshjen e kyçjes në Rrjetin e Transmetimit për ndërtimin e Parkut Solar Kramovik, një projekt me kapacitet të instaluar prej 105 MW që do të fuqizojë prodhimin e energjisë së ripërtëritshme në vend.

Ky park do të ndërtohet në rajonin e Rahovecit, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve të energjisë së pastër.

Investimi është rezultat i një procesi konkurrues të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, ku Lindja Solar L.L.C. u përzgjodh për zbatimin e projektit.

Parku do të lidhet me rrjetin e transmetimit përmes një linje të re të dyfishtë 110 kV, me gjatësi 0.2 km, e cila do të integrohet në infrastrukturën ekzistuese ndërmjet NS Klina dhe NS Gjakova 1.

Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve energjetike dhe forcimit të sigurisë energjetike të Kosovës.

KOSTT-i ka theksuar se mbetet i përkushtuar në zhvillimin e një infrastrukture të avancuar dhe të qëndrueshme të transmetimit, duke mbështetur integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar të gjithë besimtarët…