KOSTT-i fiton të drejta të barabarta me homologët në Evropë
Operatorët e Sistemeve të Transmisionit të Evropës (që operojnë brenda asociacionit ENTSO-E) votuan pozitivisht marrëveshjen e kyçjes me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës (KOSTT).
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se me këtë marrëveshje KOSTT merr obligimet dhe të drejtat e barabarta me Operatorët e tjerë të Evropës.
“Kjo marrëveshje e re do të mundësojë operimin si një bllok i vetëm energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë. Interkonjeksioni, linja 400Kv midis nesh do të funksionalizohet. Për ndërtimin e saj ndihmoi e investoi mbi 75 milionë euro Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW. Por prej më shumë se 6 vitesh kjo linjë nuk mund të funksionalizohej”.
“Si operator i njohur ndërkombëtarisht, KOSTT, do të ketë qasje në mekanizmat ndërkufitarë të cilët krijojnë mundësi më të lehtë në tregun rajonal për operatorët tanë. Kjo do të reflektohet në të hyra shtesë për KOSTT-in. Humbjet tona direkte nga mospjesëmarrja në mekanizmat ndërkombëtarë arrijnë deri në 8 milionë euro në vit, përderisa ato indirekte vlerësohen të jenë edhe më të larta”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thekuar se hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, i paraprijnë një sërë aktivitetesh, kryesisht teknike, për të cilat ka besim të plotë se do të përmbushen në një periudhë të shkurtër kohore.
“Kjo paraqet një arritje të madhe për Republikës tonë dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë Operatorët Evropianë që votuan për këtë marrëveshje. Duke shprehur mirënjohje për punën e bërë, presim nga KOSTT përkushtim të plotë në proceset rajonale për të kontribuar në furnizim të sigurt me energji. Po ashtu, KOSTT dhe OST e Shqipërisë tashmë kanë nënshkruar marrëveshje për operimin si një bllok energjetik, marrëveshje që i parapriu votimit të sotshëm, andaj duhet të pasojnë edhe hapa të tjerë domethënës”, ka thënë Kurti.
/Epoka e re/