KOSTT-i, kompani lidere në sektorin publik për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) është certifikuar me Standardin ndërkombëtar ISO 27001:2013, gjegjësisht Standardi ndërkombëtar për Menaxhimin e Sigurisë së Informacionit (ISMS).
Përmes këtij certifikimi globalisht të njohur, KOSTT-i tregon angazhim serioz në zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në sigurinë e informacionit, mbrojtjen e konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë së informacionit konform standardit ISO/IEC 27001:2013.
Me rastin e pranimit të certifikatës Jusuf Imeri, menaxher i Politikave dhe Cilësisë në KOSTT ka theksuar: “Ne tashmë kemi ndërtuar një sistem të integruar të cilësisë në bazë të së cilës janë të mbështetura proceset. Kjo përbën një vlerë të shtuar për kompaninë duke siguruar kështu ofrimin e shërbimit cilësor në përputhje me standarde të përcaktuara ndërkombëtare të cilat na ndihmojnë në zbatimit efikas të kërkesave ligjore, rregullatore dhe palëve të interesit”, ka thënë Imeri.
Standardi për menaxhimin e sigurisë së informacionit ISO 27001:2013 është standardi i katërt ndërkombëtar me të cilin tashmë u certifikua KOSTT-i krahas standardit për menaxhimin e Cilësisë ISO 9001:2015, Standardin e Sigurisë dhe Shëndetit në punë ISO 45001:2018, dhe Standardin e Mbrojtjes së Mjedisit ISO 14001:2015.
Me këtë KOSTT bëhet kompania e parë publike dhe kompania e parë në sektorin e energjisë në Kosovë e certifikuar me standardin ndërkombëtar ISO/IEC 27001:2013, duke e përmbyllur kështu vitin 2021 me një sukses që dëshmon vazhdimësi të ekselencës së biznesit.