Kotzias në takim me Thaçin: Greqia e mbështet integrimin evropian të Kosovës

12 prill 2018 | 18:10

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias.

Me këtë rast, Thaçi ka thënë se e çmon pozicionin pozitiv dhe parimor të Greqisë për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e Greqisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kërkojmë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe për anëtarësimin tonë në INTERPOL, UNESCO, NATO, Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është shumë me rëndësi që Greqia ta ruaj qëndrimin konstruktiv”, ka deklaruar Thaçi.

Kreu i shtetit me ministrin Kotzias kanë folur edhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili forcon paqen në tërë rajonin tonë.

Presidenti Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Kotzias, kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Kosova ka krijuar një ambient biznesor mjaft atraktiv dhe janë të mirëseardhur investitorët grekë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, kryediplomati grek ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vetë Bashkimin Evropian, është shumë i rëndësishëm për të gjitha shtetet.

“Greqia e mbështet planin e integrimit evropian në të gjitha nivelet”, është  shprehur Kotzias.

Gjatë takimit të presidentit Thaçi me ministrin e Jashtëm të Greqisë është diskutuar edhe për procesin dhe modalitetin e hapjes së zyrës së Kosovës në Athinë, e cila do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Greqisë.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenca e Kosovës ka emëruar Beqë Cufajn ambasador rezident në…