Kozniku: E lus Zotin që Kroacia t’i hakmerret Francës

13 korrik 2018 | 10:55

Kroacia ka shkruar historinë për vendin e vet për shkak të kualifikimit për në finale të Botërorit për herë të parë. Kroacia do të ndeshet me Francën në finalen e madhe të Kampionatit Botëror dhe nëse arrin ta fitojë Botërorin, do të jetë ekipi i parë nga Ballkani që triumfon në kompeticionin më të madh në botë.

Ardian Kozniku, i cili ishte reprezentues i Kroacisë në Botërorin e vitit 1998, njëherësh edhe futbollisti i parë shqiptar që ka marrë pjesë në Kupën e Botës, ka dhënë një intervistë para ndeshjes finale në mes të Kroacisë dhe Francës.

“Në tërë Kroacinë ka mbretëruar dhe po mbretëron festë e madhe, pas triumfit ndaj Anglisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës në Rusi. Kjo fitore është festuar në të gjitha qytetet kroate, kanë festuar i madh e i vogël.  Kjo gjeneratë nuk na e kaloi vetëm neve që fituam vendin e tretë në Botërorin e Francës në vitin 1998, por edhe gjithë botës”, ka thënë Kozniku në një intervistë për “Lajm”.

“Një shtet me vetëm katër milionë banorë të luajë në finale, kjo është diçka fantastike. Ende nuk na besohet se jemi në finale të Botërorit. E tash kemi një tjetër ëndërr, ta fitojmë trofeun e Kupës së Botës. Më vjen mirë që kësaj feste i janë bashkuar jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Kroaci, por edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Finalja shpresoj të jetë një lojë e mirë, sepse aty kanë mbërritur skuadrat më të mira dhe me plot meritë. Franca ka lojtarë fantastikë, por mos harroni se edhe Kroacia ka lojtarë fantastikë. Të dyja kombëtaret kanë top emra. Mendoj se shanset janë 50-50, por normalisht se kam dëshirë të fitojë Kroacia. E lus Zotin që këta lojtarë t’i revanshohen Francës për atë humbjen e vitit 1998. Loja mund të zgjasë edhe 120 minuta, nuk i dihet, sepse është finale e Botërorit, por shpresoj se me lojë të mirë dhe me pak fat, mund ta fitojmë Kupën e Botës”, ka përfunduar Ardian Kozniku.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kroacia ka shkruar historinë për vendin e vet për shkak…