KPK-ja dënon sulmin ndaj prokurorit Atnor Skoro
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dënuar sulmin fizik ndaj prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro, sulm i cili ndërlidhet me punën e tij zyrtare.
Për KPK-në aktet e tilla ndaj prokurorëve, janë të patolerueshme dhe se të njëjtat merren shumë seriozisht.
“KPK qëndron fuqishëm pranë prokurorit Skoro dhe të gjithë prokurorëve, i mbështet ata në punën e tyre të përditshme dhe i inkurajojnë në përmbushjen e misionit të tyre. Andaj, të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, është thënë në reagimin e KPK-së.
Gjithashtu, KPK-ja siguron publikun se kjo çështje e sulmit ndaj prokurorit Skoro do të trajtohet me prioritet nga të gjitha organet kompetente, dhe sulmuesi do të nxirret shumë shpejt para organeve të drejtësisë.
/Epoka e re/