KPK-ja dhe Zyra e Prokurorit reagojnë pas fjalimit të djeshëm të Kurtit: Po ndërhyn në drejtësi

03 dhjetor 2024 | 13:55

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i kanë reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili sipas tyre, dje nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza të padrejta drejt KPK-së, Prokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufajt.

Kurti dje foli për rastin “Dehari”, ku tha se qeveria që udhëhiqet prej tij nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë edhe gjyqësinë.

“Prokuroria duhet ta zbardhë rastin e shokut tonë të mbytur në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016, Astrit Dehari. Por Prokuroria nuk është reformuar. Ne vitin e ardhshëm i bëjmë 4 vjet në qeverisje, por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye edhe më tutje me ndikim e me funksion është Bekim Isufaj”, tha Kurti dje.

E për këtë, KPK-ja dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thanë se deklaratat e Kurtit për raste individuale, duke i interpretuar ato, sipas tyre, në mënyrë dëshirore, pa i ditur faktet dhe “duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.

“Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit”.

“Andaj, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje Kryeministrit të vendit, anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të partisë në pushtet që të jenë të përmbajtur, të tregojnë sjellje të përgjegjshme institucionale dhe të mos tentojnë që përmes diskursit dhe retorikës politike ta sulmojnë sistemin prokuroria”, thuhet në reagim.

Kjo nuk është hera e parë që Këshilli Prokurorial i Kosovës i reagon kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Enver…