KPK-ja e çon në Kushtetuese ndryshimin e Ligjit për KPK-në nga Kuvendi
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e ndryshuar për KPK-në nga Kuvendi i Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, derisa ka shtuar se komentet e tij ndërlidhen me evidentimet konkrete të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore që janë bërë me anë të këtij ligji, të miratuar më 23 qershor 2022, në Kuvendin e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), deklaron se ashtu siç ka njoftuar paraprakisht se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, ju informon se ka bërë kërkesë në Institucionin e Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit të ndryshuar për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Këshilli Prokurorial, njofton se komentet e tij ndërlidhen me evidentimet konkrete të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore që janë bërë me anë të këtij ligji, të miratuar më 23 qershor 2022, në Kuvendin e Kosovës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dëshmon se mbetet i përkushtuar që kontestimin e këtij ligji ta bëjë vetëm nëpërmjet rrugëve kushtetuese dhe ligjore dhe do të vazhdojë të angazhohet për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm, transparent dhe çdo herë në zbatim të ligjit.
Në frymën e kësaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se çfarëdo keqinterpretimi i ngritur në opinionin publik lidhur me moszbatimin e akteve ligjore është i paqëndrueshëm.