KPK-ja: Presidentja Osmani vërtetoi përpjekjen për shtrirje të ndikimit politik mbi sistemin prokurorial

17 tetor 2023 | 16:43

Këshilli prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani, për mosdekretim të kryeprokurorit të ri të shtetit, Blerim Isufaj.

Në reagim e KPK-së është thënë se Osmani në konferencën për medie ka konfirmuar përpjekjen sistematike për shtrirje të ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Kosovës.

“KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi  përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, është thënë në reagimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vlerësuar se,deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Kurse lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, KPK-ja ka ftuar presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që sipas tyre, të ndriçohen plotësisht.

“Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale. Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e kryeprokurorit të shtetit”, është thënë në reagimin e KPK-së.

Në përfundim të këtij reagimi është thënë se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të presidentes Osmani për mosdekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
18.10.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Mitrovicë 1.…