KPK-ja: S’marrim pjesë në grupin punues për vettingun, Haxhiu e çoi në qeveri draftin final pa na konsultuar fare
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim që përfundimisht të mos marrë pjesë në grupin punues për finalizimin e legjislacionit për procesin e vettingut.
Përmes një njoftimi për media nga KPK-ja kanë njoftuar se ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas KPK-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka dorëzuar në qeveri koncept-dokumentin për vettingun pa i konsultuar.
“Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e vettingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë. Për më tepër, ky koncept-dokument i dorëzuar në qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti”, ka njoftuar KPK-ja.
Njoftimi i plotë i KPK-së:
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes kësaj deklarate shpreh qëndrimin institucional për të mos marrë pjesë në grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e vettingut në Sistemin e Drejtësisë.
Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në qeveri draftin final për procesin e vettingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë.
Për më tepër, ky koncept-dokument i dorëzuar në qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti.
Prandaj, kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale.
Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion kushtetues mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të brendshme institucionale, të punojë në avancimin e sistemit prokurorial, gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve.