KPK-ja vlerëson mbështetjen amerikane për sistemin prokurorial
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim drejtorin e ri të Byros ndërkombëtare për narkotik dhe sundim të ligjit në kuadër të Ambasadës Amerikane në Kosovë, Shawn Waddoups.
Në fillim të këtij takim, kryesuesi Hyseni ka njoftuar drejtorin Waddoups për kompetencat, rolin dhe objektivat e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, kryesuesi Hyseni ka folur për të arriturat, sfidat dhe synimet e KPK-së, ndërsa ka vlerësuar mbështetjen e Ambasadës Amerikane të dhënë përmes programeve të ndryshme për sistemin prokurorial të Kosovës.
Drejtori Waddoups gjatë këtij takimi ka shprehur gatishmërinë e Byros ndërkombëtare për narkotik dhe sundim të ligjit për vazhdimin e mbështetjes për sistemin prokurorial të Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me qëllim të luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera kundërligjore.
Gjithashtu, ata shtuan se qëllim i bashkëpunimit të tyre është krijimi i një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.
/Epoka e re/