KPM-ja e ndalon transmetimin e kanaleve të ‘Arenas’ në Kosovë

03 tetor 2023 | 15:49

Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) u ka kërkuar të martën operatoreve kabllorë në vend ta ndërpresin transmetimin e kanaleve të rrjetit televiziv serb Arena, duke thënë se ka gjetur se ato kanë shkelur rregulloren e saj dhe e kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, e bërë këtë të ditur gjatë një mbledhjeje të komisionit të martën në Prishtinë.

“Vendimi i zyrës ekzekutive është – pas gjetjes së provave të këtyre video-mesazheve të transmetuara nga Arena përmes operatorëve të shpërndarjes të cilët janë të licencuar nga KPM-ja – që ato menjëherë ta ndalojnë transmetimin e kanaleve të ‘Arenas’, për shkak se një mesazh i tillë është në kundërshtim me rregulloren e KPM-së sepse cenon interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme”, ka thënë Mehmeti.

KPM-ja kishte marrë ankesa ngas shikuesit se kanalet sportive të “Arenës” po transmetonin mesazhe para dhe pas ndeshjeve të futbollit në mbështetje të tre sulmuesve serbë të vrarë gjatë një sulmi kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

“Nga monitorimi i zyrës ekzekutive i datës 1 tetor 2023, del se kanalet e Arena kanë transmetuar përmbajtje të cilat janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së. Më saktësisht, është fjala për transmetim të video-mesazheve të cilat vijnë nga Serbia me përmbajtje që e glorifikon sulmin terrorist në veri të vendit, mbi të gjitha përmbajnë edhe mesazhe kërcënuese për qytetarët e republikës së Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

“Arena” e transmeton ligat elitare të futbollit, si Premierligën e Anglisë dhe Serie A të Italisë, të cilat operatorët në Kosovë nuk kanë mundur t’i sigurojnë direkt nga këto vende, por përmes saj.

Premierliga dhe Serie A janë dy prej ligave më të shikuara të futbollit në Kosovë.

Përveç “Arenas”, në Kosovë Premierliga transmetohet edhe përmes operatorit kabllor të Shqipërisë, “Digitalb”. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Projekti ‘Elite Youth Development Programe U15’ po vazhdon ritmin e…