KPMM-ja: Është e papranueshme shkrirja e institucionit tonë në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), e ka kundërshtuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, në të cilin ndër të tjera është përfshirë edhe shkrirja e KPMM-së në Shërbimi Gjeologjik të Kosovës.
Përfaqësues të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Departamenti i Minierave në kuadër të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, kanë mbajtur takim në të cilin kanë diskutuar për plotësim ndryshimin e Ligjit për Minera dhe Minerale, si dhe të Ligjit për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.
Në këtë takim të pranishëm ishin dhe zyrtarë të MAP-it, zyrës së Komisionit Evropian, SIGMA-së, ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përfaqësues nga ambasada Amerikanesi dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediat.
“KPMM-ja e ka pranuar për komente “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, në të cilin ndër të tjera është përfshirë edhe shkrirja e KPMM-së, në kapitullin IV, ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr. 03/l-163 për Minierat dhe Mineralet; Ligjit nr. 04/l-158 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Minierat dhe Mineralet dhe Ligjit nr. 06/l-039 për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës. KPMM-ja ka analizuar këtë projektligj dhe kundërshton në tërësi përfshirjen në këtë ligj dhe konsideron se përfshirja e KPMM-së në këtë ligj bie në kundërshtim edhe me ligjin bazë Ligji Nr. 06/L-113 për Organizimin edhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura”, është thënë në komunikatën për medie nga KPMM-ja.
Sipas këtij projektligji është paraparë që KPMM-ja të shkrihet në kuadër të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës. “Duhet theksuar se Parlamenti i Republikës së Kosovës e ka të miratuar Strategjinë Minerare që në vitin 2012 e cila ka afat deri në vitin 2025, ku shprehimisht ceket që “sektori minerar të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare”, andaj tentimi për bash dyzim të KPMM dhe SHGJK shkel parimet e miratuara në Strategjinë Minerare dhe rrjedhimisht është në kundërshtim me te gjitha standardet ndërkombëtare për funksionimin dhe menaxhimin e sektorit minerar”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, hartuesi i këtij projektligji shihet qartë se nuk ka njohuri fare për funksionimin e KPMM-së në njërën anë dhe SHGJK-se në anën tjetër, si dhe sektorit minerar në vend dhe praktikave ndërkombëtare. “Kosova ka ndjekur praktikat ndërkombëtare të menaxhimit të sektorit minerar, ku në mënyrë të pavarur hartohen politikat Minerare (MZHE), licencimi dhe rregullimi i industrisë minerare (KPMM) dhe së fundi ka funksionalizuar SHGJK, i cili ka rolin e ofrimit të shërbimeve analitike për fenomenet gjeologjike për shteti dhe jo vetëm në vendin tonë, po ashtu SHGJK-ja ka për detyrë të ofroj shërbime edhe për ndërmarrjet dhe palët e treta. Andaj, çdo bashkë dyzim i këtyre tre hallkave të funksionimit të sektorit minerar në vend, përveç shkeljeve të dokumenteve themeltare të funksionimit të sektorit, është në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht qon drejt de-funksionalizimit të këtij sektori jetik për zhvillimin ekonomik”, thuhet tutje në komunikatën e KPMM-së, duke u shtuar se mos njohja e funksionimit të sektorit minerar nga hartuesi mund të shihet tek planifikimi që KPMM-ja të shkrihet në kuadër të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës i cili është themeluar në vitin 2014 dhe ka 21 punëtorë, ndërsa KPMM është themeluar në vitin 2005 dhe ka 76 të punësuar. “Ndërsa, neni 26 organizimi i brendshëm i agjencive të pavarura i Ligjit Nr. 06/L-113 për organizimin edhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, në të cilin parashihet së agjencitë ekzekutive dhe rregullatore të cilat kanë të punësuar më shumë se 50 punëtorë dhe janë komplekse duhet të mbesin të pa ndryshuara në funksionimin e brendshëm. Po ashtu në asnjë nga shtetet e Evropës, SHBA, Australi, Kanada etj., nuk është praktikë që Autoriteti Licencues dhe Inspektues të jenë brenda Shërbimit Gjeologjik ose e kundërta. Për të respektuar këtë standard, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vitin 2014 kishte nxjerrë Ligjin për themelimin e Shërbimit Gjeologjik, si rezultat i të cilit KPMM kishte transferuar një pjesë të stafit, pajisjeve dhe gjithë arkivin për hulumtimet gjeologjike të së kaluarës te Shërbimi Gjeologjik. Pra, me këtë projektligj, në vend që të parashihet avancimi i sektorit minerar, po tentohet e kundërta të kthehen prapa të arriturat, dhe ky sektor të de-funksionalizohet”.
KPMM-ja ka analizuar me kujdes Ligjin Nr. 06/L-113 për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe konsideron se KPMM-ja duhet të trajtohet në përputhje me kapitullin 3 Agjencitë e Pavarura, kjo më së miri do të mund të rregullohet përmes:
“Ligjit të ri për Miniera dhe Minerale i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës në këtë legjislaturë, tani është në procedurë të aprovimit të tij. Ky ligj pas një analize dhe gjithë përfshirje të palëve të interesuara (MZHE, KPMM, SHGJK, Shoqëri Civile) është sponsorizuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ligji është përkrahur nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare si USAID, CLDP, ambasadat e shteteve të ndryshme në Kosovë, nga odat ekonomike si ajo Amerikane, zyra e Komisionit Evropian, dhe nga bizneset serioze që zhvillojnë aktivitetin e tyre në fushën e minierave dhe mineraleve. Përmes këtij Ligji është paraparë përafrimi me praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat do të rezultojnë në avancimin e funksionimit të Licencimit dhe mbikëqyrjes së sektorit minerar të Republikës së Kosovës, përmes rritjes së transparencës, eliminimin e burokracisë përmes krijimit të “One Stop Shop” dhe shumë përparësi të tjera”, thuhet në komunikatën e KPMM-së.
Më tutje është apeluar qe mos të ketë infiltrime poltikike në këtë sektor. “Bëjmë apel që mos të bëhet jo funksional funksionimi i sektorit minerar në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të ruhet vazhdimësia në funksionim institucional. Të ndalohet kjo iniciativë dhe të përfshihet në Ligjin e ri për Miniera dhe Minerale, amendamenti në përputhje me kapitullin 3 të Ligjit Nr. 06/L-113 për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, u tha ndër të tjera në këtë takim. Vlen të theksohet se me përafërsisht të njëjtat argumente Projektligji i apostrofuar dhe sponzorizuar nga MAP-i, u kundërshtua edhe nga përfaqësuesit e Departamentit të Minierave në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe përfaqësuesit e Shërbimi Gjeologjik të Kosovës”, përfundoi komunikata e KPMM-së.
/Epoka e re/