KQZ dhe partitë, të gatshëm për zgjedhjet lokale

21 qershor 2021 | 11:23

Caktimi i datës së zgjedhjeve lokale nga presidentja e vendit ka shtuar përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe të partive politike për këto zgjedhje. KQZ-ja tashmë ka miratuar planin operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve, duke bërë kufizimin e shpenzimeve të subjekteve politike për fushatën zgjedhore dhe ka caktuar kohën e mbajtjes së fushatës zgjedhore, ndërsa partitë politike deri më tani kanë zyrtarizuar dhjetëra kandidatë për kryetarë të komunave

Muhamet KOCI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor. KQZ-ja tashmë ka miratuar planin operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe ka bërë kufizimin e shpenzimeve të subjekteve politike për fushatën zgjedhore, kurse disa parti politike kanë prezantuar shumicën e kandidatëve për kryetarë të komunave. Në mbledhjen e fundit, KQZ-ja ka marrë vendim që periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të fillojë më 16 shtator dhe të përfundojë më 15 tetor.

Për kufizim të shpenzimeve të subjekteve politike për fushatën zgjedhore, KQZ-ja ka vendosur që kufiri i sipërm i shpenzimeve të jetë 950 mijë e 633 euro e 40 centë dhe mbështetet në listën jopërfundimtare të votuesve, e cila përmban 1 milion e 894 mijë e 254 votues. “Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore të KQZ-së për kufizimin e shpenzimeve të fushatës, kufizimi i shpenzimeve të fushatës për komunat të cilat kanë më shumë se 5 mijë votues është 0.5 euro për votues të regjistruar në komunën përkatëse, ndërsa për komunat të cilat kanë më pak se 5 mijë votues, subjekteve politike u lejohet të shpenzojnë deri në 0,7 euro për votues të regjistruar në atë komunë”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.

Në anën tjetër, subjektet politike janë shprehur të gatshme për zgjedhjet lokale të tetorit.
Prej kohësh ato kanë filluar t’i prezantojnë kandidatët e tyre për kryetarë të komunave. Deri më tani vetëm partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka prezantuar asnjë kandidatur. Kurse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja deri më tani kanë përcaktuar dhjetëra kandidatë për kryetarë të komunave.

PDK-ja ka zyrtarizuar tetë kandidatura: Shaqir Totajn për kryetar të Prizrenit, Agim Aliun për kryetar të Ferizajt, Ramiz Lladrovcin për kryetar të Drenasit, Naim Ismajlin për kryetar të Shtimes, Besim Ilazin për kryetar të Kaçanikut, Shaban Shabanin për kryetar të Dragashit, Rrahim Tërnavën për kryetar të Fushë-Kosovës dhe Murtez Zekollin për kryetar të Suharekës.

PDK-ja, e cila qeverisë në Komunën e Ferizajt, Drenasit, Shtimes, Dragashit dhe Kaçanikut, ka bërë me dije se shumë shpejt do t’i prezantojë edhe kandidaturat e tjera.

LDK-ja deri më tani ka zyrtarizuar kandidatët për 11 komuna: Përparim Ramën për kryetar të Prishtinës, Gazmend Muhaxherin për kryetar të Pejës, Anton Qunin për kryetar të Prizrenit, Ekrem Hysenin për kryetar të Podujevës, Ardian Shalën për kryetar të Suharekës, Imri Ahmetin për kryetar të Lipjanit, Burim Berishën për kryetar të Fushë-Kosovës, Sokol Halitin për kryetar të Vitisë, Xhafer Tahirin për kryetar të Vushtrrisë, Mehmet Krasniqin për kryetar të Obiliqit dhe Burim Krasniqin për kryetar të Rahovecit. Aktualisht kjo parti qeverisë në komunën e Pejës, Gjilanit, Vushtrrisë, Lipjanit, Vitisë, Istogut dhe Fushë-Kosovës.

Edhe AAK-ja ka prezantuar kandidatët për kryetarë në disa komuna: Daut Haradinajn për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahirin për kryetar të Podujevës, Arbër Tolajn për kryetar të Pejës, Ardian Gjinin për kryetar të Gjakovës, Bali Muharremajn për kryetar të Suharekës, Zenun Elezajn për kryetar të Klinës, Bashkim Ramosajn për kryetar të Deçanit, Smajl Lafitin për kryetar të Rahovecit, Agron Kuçin për kryetar të Junikut dhe Bekë Berishën për kryetar të Istogut.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila qeverisë në tri komuna, ndonëse zyrtarisht nuk ka prezantuar asnjë kandidat, nëpër media janë përfolur emra të ndryshëm për disa komuna. Si kandidat i LV-së për kryetar të Prishtinës janë përmendur Arben Vitia dhe Liburn Aliu, ndërsa në Prizren, Mitrovicë dhe Podujevë, ku kjo parti qeverisë, pritet të vazhdojë me kryetarët aktualë Mytaher Haskuka, Agim Bahtiri dhe Shpejtim Bulliqi.

Nisma Socialdemokrate, e cila në zgjedhjet e fundit nacionale nuk ka mundur ta kalojë pragun zgjedhor, deri më tani ka zyrtarizuar Fazli Hoxhën kandidat për kryetar të Gjakovës dhe Naser Morinën në Klinë. Është raportuar në media se kandidat i kësaj parti për Prishtinën pritet të jetë Bekim Brestovci, kurse për Prizrenin Zafir Berisha. Nisma aktualisht qeverisë Komunën e Malishevës. Deri më tani AKR-ja e Behgjet Pacollit ka zyrtarizuar kandidaturën e Selim Pacollit për kryetar të Komunës së Prishtinës, ndërsa Partia Socialdemokrate ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KF Liria ka mbajtur Kuvendin e Punës ku të pranishëm…