
KQZ fillon numërimin e votave të mërgimtarëve që votuan nëpër ambasada e konsullata
Ka nisur numërimi i votave të mërgimtarëve që votuan në ambasada e konsullata. Kështu ka bërë të ditur duke treguar edhe detaje zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Siç e dini, procesi i votimit më 8 shkurt është organizuar në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme. Procesi i numërimit është transparent dhe vëzhguesit e akredituar janë njoftuar me kohë. Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejtë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas përfaqësive diplomatike, do të shfaqen në platformën http://rezultatet2025.net”, u shpreh Elezi.
“Gjithashtu, pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, po planifikojmë që të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen. Dhe pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Prapa nesh janë 11 tavolina të numërimit të votimit dhe janë më shumë se 15 mijë votime dhe është e pamundur të dijmë se sa mund të zgjasë. Besohet se do të bëhet në kohën sa me shpejtë”, ka thënë ai.