KQZ i përgjigjet VV-së: Ja pse u refuzuan mbi 1200 vota të diasporës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje rreth ankesës për mos procesimin e mbi 1 mijë plikove të ardhura me vonesë nga diaspora.
Në një komunikatë për media kanë treguar se fillimisht ishte supozuar se ishin 4 mijë e 639 pako, megjithatë në fund ka dalë që janë 5 mijë e 882 të tilla, ndërkohë kanë thënë se pas vlerësimit janë aprovuar 4 mijë e 670 të tilla, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212 për shkak se kanë qenë të pavlefshme.
“4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KQZ-ja.
“535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës, 115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, 128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar, 159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë dhe 275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar”, thuhet në shpjegimin e KQZ-së se pse nuk janë procesuar mbi 1200 vota, për të cilat është ankuar VV-ja e ka paralajmëruar që do të ankohet përsëri në gjykata.
E gjithë kjo punë nga KQZ thuhet se është bërë duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, ndërkohë kanë paralajmëruar që do t’i shpallin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, sapo të marrin dritën e gjelbër nga PZAP-ja dhe Supremja, se nuk do të ketë çështje që pret shqyrtim.