KQZ-ja: 80% e të regjistruarve në diasporë votuan për zgjedhjet e 9 shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë me dije se 80.1 për qind e pjesëtarëve të diasporës kanë votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të martën se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15.352 qytetarë, ndërsa me postë 68.712, shkruan ‘Radio Evropa e Lirë’.
Megjithatë, ai ka tërhequr vërejtjen që kjo përqindje mund të ndryshojë, pas procesit të vlerësimit të votave që janë pranuar me postë.
Mbi 2 milionë shtetas të Kosovës kanë pasur të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Në mesin e tyre kanë qenë edhe 104.924 votues nga diaspora.
Ky ka qenë procesi i parë zgjedhor kur pjesëtarëve të diasporës u është mundësuar votimi në 19 përfaqësi diplomatike në gjithë botën.
Elezi ka thënë se numërimi i votave nga diaspora do të nisë të bëhet pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.
Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 40 për të votave, e përcjellë nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind të votave, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, rreth 7 për qind të votave.
Një partie i duhen 61 vota të deputetëve në Kuvend për të formuar Qeverinë e re. Aktualisht asnjëra parti nuk i ka ato. Partitë që aktualisht janë në opozitë kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për të formuar qeverinë.
Analistët vlerësojnë se në ditët, javët ose edhe muajt në vijim, Kosovën e presin turbulenca politike.