KQZ-ja aprovon 26 fletëvotime nga diaspora me shënime të pakompletuara
Për herën e dytë gjatë ditës, KQZ ka mbajtur mbledhje për të vendosur në lidhje me 26 fletëvotime, të cilat nuk i kanë pasur të shënuara të dhënat e kompletuara në kopjet e dokumentit identifikues. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë votuar pro miratimit të rekomandimit të Divizionit të Shërbimit të Votuesve, që këto pako me fletëvotime të aprovohen dhe të procedohen për numërim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Votuesit jashtë Kosovës që i përkasin komunës së Dragashit, kanë qenë të obliguar që në kopjen e dokumentit identifikues të shkruajnë së paku: Emrin, Mbiemrin, Emrin e babait dhe datën e lindjes.
Kanë qenë gjithsejtë 26 persona që kanë dërguar fletëvotime por që nuk i kanë shënuar të dhënat e kompletuara.
Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi theksoi se kjo godet në tërësi procesin.“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ndjeshmërisë së rezultatit, kjo do të përbëjë bazë dhe përbën ka elemente, për të goditur procesin në tërësi. Nëse ka ndonjë mundësi që të veçohet jam në rregull, por nuk e di që ka mundësi”, u shpreh ai, raporton kp.
Edhe Alim Rama nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër numërimit të këtyre votave.
“A bën t’i veçojmë ato 26, mos të marrim vendimin, le të vendos PZAP. Në qoftë se këto numërohen, atëherë kontaminojnë procesin”, ka deklaruar ai.
Të drejtën e votës përmes postës në Dragash e kanë mbi një mijë votues. Këta votues janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës prej 10 korrik deri me 18 gusht 2021. Gjykata Supreme kishte vendosur me datën 25 nëntor për përsëritje të votimit nga jashtë për Komunën e Dragashit.