KQZ-ja certifikon rezultatet për Asamblenë e Leposaviqit, LV-ja dhe Lista Serbe nuk votojnë pro
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq. Megjithatë, Kuvendi nuk është i plotë, pasi është miratuar rezultati vetëm për 16 asamblistë, ndërsa ka gjithsej 19 ulëse. Kjo në mungesë të votave për kandidatët që kanë garuar për Asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas rezultatit, Lëvizjes Vetëvendosje i takojnë 15 ulëse, por vetëm 12 kandidatë të saj kanë marrë vota dhe rrjedhimisht KQZ-ja ka vendosur që LV-ja të ketë vetëm 12 këshilltarë komunalë.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia “Kosovskih Srba” kanë marrë nga dy ulëse të tjera secila.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se ka ardhur rekomandimi nga sekretariati që rezultati të certifikohet pasi vetëm kështu i hapet rrugë krijimit të institucioneve lokale në Leposaviq.
“Lëvizja Vetëvendosje 76.1 për qind apo 15 ulëse të fituara. Partia Demokratike e Kosovës me 19.2 për qind apo 2 ulëse të fituara si dhe Partia Kosokvih Srba me 4.6 për qind apo me 2 ulëse të fituara. Ndërsa në listën e kandidatëve Lëvizja Vetëvendosje i ka 12 kandidatë të cilët kanë marrë vota. Partia Demokratike i ka dy kandidatë që kanë marrë vota dhe Partia ‘Kosovskih Srba’ me dy kandidatë që kanë marrë vota”, ka thënë Radoniqi, raporton “Kosovapress”.
Ndërsa përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se interpretimi i sekretariatit është i kundërligjshëm.
“Diskutimin e kemi shterur si mendojmë ne. Secili kemi mbetur vetëm me marr një vendim. Vendimi është i domosdoshëm për hapje të rrugës. Mendoj se interpretimi që ka dhënë sekretariati është jo i drejtë, i kundërligjshëm, prandaj do të votoj kundër. Edhe kolegu im nga Vetëvendosje do të votojë kundër sepse mendojmë se nuk është interpretim i drejtë”, ka thënë Kurteshi.
Pas hedhjes në votim, 8 anëtarë të KQZ-së kanë votuar pro, dy anëtarët që përfaqësojnë LV-në kanë votuar kundër, ndërsa përfaqësuesja e Listës Serbe ka abstenuar me votën e saj. Me këtë rast është certifikuar edhe rezultati për këto zgjedhje.