KQZ-ja certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Nga certifikimi i këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 50,28 për qind apo 438 mijë e 335 vota, PDK-ja 148 285 vota apo 17 për qind, LDK-ja ka 110 985 vota apo 12,73 për qind, AAK-ja 62,111 vota ose 7.124 për qind.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 19 ulëse, LDK-ja 15 ulëse, AAK-ja 8 ulëse, ndërsa Lista Serbe 10 ulëse.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga mbi 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote kanë votuar 48.78 për qind dhe vota të vlefshme, sipas KQZ-së, kanë qenë 877.503.
Certifikimi i rezultateve pason trajtimin e ankesave të kandidatëve për deputetë dhe subjekte politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.
Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.
Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.
Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara. Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku u certifikua rezultati i zgjedhjeve, kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka bëri thirrje që deputetët e rinj të bëjnë reformën zgjedhore.
“Dua t’i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t’ia japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme që të japë kontributin e vetë profesional në këtë reformë”, tha Daka.