KQZ-ja deri tani ka pranuar 332 pako me fletëvotime nga diaspora për Dragashin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tani kanë pranuar 332 pako të fletëvotimeve nga diaspora për zgjedhjet në komunën e Dragashit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Klankosova.tv se duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime deri më 13 dhjetor.
“Deri më tani, KQZ ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, është shprehur Elezi.
Votimi përmes postës në komunën e Dragashit ka nisur më 29 nëntor, kjo pasi që Gjykata Supreme ka urdhëruar KQZ-në që ta përsëris votimin nga diaspora për kryetar të kësaj komune.
Kujtojmë se kandidati i LDK-së për të parin e Dragashit, Bexhet Xheladini, ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, pasi PZAP vendosi që votat e diasporës të anulohen tërësisht.
Votat e diasporës në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash, ku pas numërimit të votave i pari në garë doli Bexhet Xheladini nga LDK, kurse me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani.