KQZ-ja e gatshme për zgjedhje, por buxheti ende nuk i është ndarë
Kuvendi i Kosovës u shpërnda këtë të enjte, ndërsa presidenti Hashim Thaçi ka thënë se shumë shpejt do të shpallë datën e zgjedhjeve.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thonë se edhe pse ky vit nuk është paraparë të jetë zgjedhor, janë të gatshëm të bëjnë organizimin e zgjedhjeve.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka deklaruar se tashmë kanë filluar përgatitjet, por janë ende në pritje të vendimit të presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve. “KQZ-ja edhe pse ka zgjedhje të paplanifikuara e ka obligim që të organizojë zgjedhjet dhe tani ne kemi filluar përgatitjet edhe pse nuk e kemi ende datën. Ndërsa në momentin kur ta kemi datën ne do të fillojmë me përgatitjet e mirëfillta”, ka thënë Daka.
E para e KQZ-së ka pohuar se mjetet për organizimin e zgjedhjeve ende nuk janë ndarë dhe se ende nuk e di se sa është kostoja e këtyre zgjedhjeve.
Daka ka thënë se në momentin e shpalljes së zgjedhjeve do të përpilojnë kërkesën buxhetore të cilën do t’ia drejtojnë qeverisë në largim.
“KQZ-ja në momentin kur ta kemi datën nga presidenti i Republikës do të përpilojë një kërkesë buxhetore dhe do t’i drejtohemi Qeverisë. Ende nuk kemi ndonjë shifër të saktë sepse jemi në përfundim të llogaritjeve dhe vetëm në momentin kur do ta kemi datën, do ta dimë përafërsisht edhe shifrën e saktë të kostos së zgjedhjeve. Në bazë të llogaritjeve që i bëjmë gjithmonë kemi pasur buxhet të mjaftueshëm dhe besoj që edhe këtë herë do ta kemi”, ka thënë Daka për “EkonomiaOnline”.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen më 29 shtator, ose më 6 tetor.