KQZ-ja e konsideron sfidë organizimin e zgjedhjeve të reja

28 dhjetor 2020 | 17:51

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se do të jetë sfidues për këtë institucion organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Daka në mbledhjen e 61-të të KQZ-së ka përmendur si problem edhe buxhetin që, sipas saj, duhet ta kenë të gjithë parasysh. Ajo ka kërkuar që data e zgjedhjeve të caktohet brenda afatit kushtetues.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme dhe ne do ta presim datën. U bëj thirrje të gjitha institucioneve të shfrytëzohet afati kushtetues për vendosjen e datës. Për ne këto zgjedhje do të jenë sfiduese, pasi ne do të jemi i vetmi institucion që do të jemi në detyrë në ditët në vijim. Po ashtu, kemi një buxhet ende të paakumuluar”, ka thënë Daka.

Ylli Buleshkaj, drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, ka treguar se ka interesim për procedurat e certifikimit të partive.

Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së, duke folur për raportin financiar ka pohuar se është në përputhje me rregullat e KQZ-së.

Ndërkaq anëtari i LV-së, Sami Kurteshi, ka kërkuar që të krijohet një aplikacion në mënyrë që lehtësohet votimi për mërgimtarët.

“Një aplikacion i tillë do ta minimizonte procesin e ripërsëritjes së numërimit”, ka thënë Kurteshi.

Kurse anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, ka thënë se ky subjekt politik mbështet çdo iniciativë që qëllim ka lehtësimin e votimit të mërgatës.

“Unë si PDK shpresoj se edhe do të krijohen vende të rezervuara për diasporën. Unë mbështes çdo iniciativë për lehtësimin e votimit për diasporën”, ka thënë Elshani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë homazhe të varrezat…