KQZ-ja e quan ‘verifikim’, pushteti ‘rinumërim’: Pse LV-ja po shpërndan huti për procesin e numërimit të votave?

12 shkurt 2025 | 15:24

Procesi numërimit të votave të kandidatëve për deputetë parasheh edhe verifikimin e votave të subjekteve politike. Por, pushteti ka përzgjedhur një term tjetër për këtë proces.

Ndonëse një ditë më parë KQZ-ja e ka sqaruar në mënyrë shumë të qartë se krahas procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike, zyrtarët e LV-së po pretendojnë se do të këtë proces të rinumërimit të votave.

Anëtari i LV-së në KQZ-së, Sami Kurteshi, ka thënë se do të këtë rinumërim të gjitha votave. Më pas, një gjë të tillë e ka thënë edhe zëvendësministri në detyrë, Vigan Qorrolli.

Megjithatë, shpjegimet e nevojshme për këtë proces i ka dhënë dje zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në një konferencë për medie, ai ka bërë me dije se procesi i verifikimit është i paraparë edhe me akte nënligjore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po fillon me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të cilat janë pjesë nga votimit në vendvotime të rregullta, i zhvilluar më 9 shkurt 2025 në 2,533 sosh në të gjithë Kosovën. Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike”, ka thënë ai, duke shtuar se ky proces do t’i heq të gjitha dilemat.

“Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, ka deklaruar Elezi.

Mirëpo, sot zyrtarët e LV-së kanë filluar të përdorin një term tjetër për procesin e verifikimit.

Pa dhënë shpjegime të nevojshme, Sami Kurteshi, anëtar i LV-së në KQZ, ka thënë se do të ndodhë verifikimi i votave, raporton “Nacionale”.

“Problemet me shpalljen e rezultateve preliminare, ishin të natyrës teknike, për shkak të dështimit të sistemit digjital. Me këtë problem tani janë duke u marrë ekspertët edhe nga Policia e kosovës dhe prokuroria. Më 9 dhe 10 Shkurt, KQZ ka futur të gjitha të dhënat nga formularët e Vendvotimeve në sistem në mënyrë manuale, edhe me gabime e lëshime, qofshin ato ndonjëherë edhe të qëllimshme. Shumica e tyre tanimë janë identifikuar. Sidoqoftë, me gjithë këto probleme të cekura, nuk ka vend për shqetësim. Fletëvotimet, formularët e numërimit nga vendvotimet dhe materialet tjera nga vendvotimet janë të gjitha të ruajtura. Tani ka filluar RINUMËRIMI i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit. Do të RINUMËROHEN të gjitha kutitë nga vendvotimet. Çdo votë do të rinumërohet për subjektet politike!”, ka shkruar Kurteshi në “Facebook”.

Më tutje, ai ka treguar se çka nënkupton ky proces.

“Ky RINUMËRIM, një-për-një i çdo vote, është publik, transparent, i vëzhguar nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë. Të gjitha gabimet dhe lëshimet mund të identifikohen me lehtësi dhe të eliminohen. Çdo qytetar e qytetare, çdo votues që identifikon, vëren apo gjen çfarëdo gabimi, lëshim në votat e publikuara, gjen dëshmi konkrete, të drejtohet në KQZ, qoftë në rezultatet preliminare, qoftë edhe pas RINUMËRIMIT, i lutem mirësisht të lajmërohet në KQZ me telefon, email apo personalisht, duke i ofruar dëshmitë konkrete. Në ndërkohë, pas ardhjes së të gjitha votave nga Mërgata, do të fillojë verikimi dhe numërimi i votave nga mërgata, i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, në QNR, në mënyrë publike, transparente nën syrin e vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, nuk ka vend për shqetësim.

“Vullneti i popullit, i qytetares e qytetarit, i votuesit, është i paprekshëm, i pandryshueshëm dhe i patjetërsueshëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion të shtetit! NUK KA AS VEND E AS ARSYE PËR SHQETËSIM!”, ka vlerësuar ai.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Vigan Qorrolli, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë.

“Do të rinumërohen të gjitha kutitë nga vendvotimet! Vota është e shenjtë!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lindon Emërllahu u prezantua edhe zyrtarisht të martën nga CFR…