
KQZ-ja emëroi anëtarët e KKZ-ve për zgjedhjet në veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim të martën për emërimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë me dije se pas autorizimit në mbledhjen e kaluar i është dërguar shkresa zyrtare shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë lidhur me angazhimin e këtij misioni në rolin këshillues në këto zgjedhje
Daka ka njoftuar se kjo shkresë është e formatit të njëjtë me atë të zgjedhjeve të vitit 2017.
Në mbledhjen e ditës së hënë, anëtarët e KQZ-së janë dakorduar që Misioni i OSBE-së në Kosovë të ketë rol vetëm në këshilla teknike për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, si dhe vetëm në ditën e zgjedhjeve për Këshillat e Vendvotimeve.
/Epoka e re/