KQZ-ja emëron anëtarët e 38 komisioneve komunale të zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka emëruar rreth 250 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) në 38 komunat e Kosovës.
Para emërimit të tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar emrat e propozuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Fillimisht, Arianit Elshani nga PDK-ja, ka thënë se tash e një kohë janë duke munguar dy anëtarët e komisionit nga kjo parti, gjë që sipas tij është duke ndikuar në kuadër të mbështetjes dhe punës më të mirë të KQZ. Ai ka thënë se kjo është edhe mungesë e gjithëpërfshirjes brenda KQZ-së.
Ndërsa Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i SKQZ-së, ka thënë se janë duke punuar për zgjedhjet lokale lidhur me planin operacional dhe takimet me zyrtarët komunalë për të realizuar edhe vizitat nëpër komuna rreth procesit zgjedhor dhe punës tutje.
Në anën tjetër, Yll Buleshkaj, nga Zyra e certifikimit të partive politike në KQZ-së, ka thënë se kanë marrë kërkesë për koalicion të dy subjekteve politike, Partia Boshnjake me VAKAT.
Më tutje, Florian Dushi nga LDK-ja, ka pyetur Yll Buleshkaj lidhur me verifikimin e kandidatëve ku sipas tij është skandaloze mënyra e qasjes dhe verifikimit, madje situata ka eskaluar kur Dushi është nxehur nga përgjigja e Buleshkaj.
“Nuk mund të më mësosh se si të flas unë. Kërkoj nga kryetari t’ia tërheq vërejtjen sepse është skandaloze kjo çështje, andaj kërkoj që ta tërhiqni fjalën”, ka thënë Dushi në këtë diskutim.
Kurse Sami Kurteshi nga Vetëvendosje ka thënë se janë 22 persona që janë hequr nga lista për anëtarë të KKZ-së.
“Janë 22 persona apo vende të lira që janë hequr nga lista, dhe nuk jam i bindur që të gjithë kanë një bazë ligjore, dhe këto vende duhet të mbushen tani”, ka thënë Kurteshi.