KQZ-ja filloi organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave në veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur të hënën një mbledhje të cilën e ka kryesuar kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka.
Në fillim të kësaj mbledhje kryetarja Daka ka bërë me dije se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur zgjjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
“Në përmbushje të detyrave kushtetuese dhe ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi me përgatitjet e zgjedhjeve në këto komuna. Në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto katër komuna, të cilat do të mbahen më 19 maj 2019”, ka njoftuar KQZ-ja.
Afatet kohore të përcaktuara nga KQZ-ja për këto zgjedhjet në veri
Aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve do të fillojë me datë 9 prill dhe do të përfundoj me datë 18 prill 2019;
Certifikimit dhe publikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve do të bëhet me datë 22 prill 2019;
Hedhja e shortit për renditjen në fletëvotim do të mbahet me datë 28 prill 2019;
Afati i fundit për të caktuar kufizimin e shpenzimeve për fushatë është data 12 prill 2019;
Fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë me datë 13 maj dhe do të përfundojnë me datë 17 maj 2019;
Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhgueseve do të fillojë me datë 9 prill 2019 dhe do të përfundoj me datë 12 maj 2019;
Emërimet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) do të bëhet me datë 15 prill 2019;
Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës do të fillojë me datë 25 prill dhe do të përfundoj me datë 30 prill 2019;
Aplikimi për regjistrim si votues me nevoja të veçanta do të fillojë me datë 9 maj dhe do të përfundoj me datë 13 maj 2019.
/Epoka e re/