KQZ-ja fillon procesin e harmonizimit të rregulloreve zgjedhore me ligjin e ri të zgjedhjeve
Vetëm pak ditë pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme u publikua në Gazetën Zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procesin e harmonizimit të Rregulloreve Zgjedhore me këtë ligj.
Lajmi është bërë me dije përmes një njoftimi nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se pas miratimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nga Kuvendi i Kosovës, KQZ ka evidentuar ndryshime në çështje të caktuara të procesit zgjedhor, raporton EkonomiaOnline.
Më tej, Elezi ka treguar se çka do të përfshihet në harmonizimin e akteve nënligjore.
“Në këtë proces të harmonizimit janë përfshirë disa Rregullore Zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin dhe funksionimin e partive politike; certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve; regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës; themelimin dhe ndërrimin e qendrave të votimit; fushatën e zgjedhjeve dhe vëzhguesit; regjistrimin dhe votimin e personave me nevojat e veçanta; këshillat e vendvotimeve; votimin dhe numërimin e fletëvotimeve; Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe për Qendrat Komunale të Numërimit”, ka njoftuar Elezi.
Siç bëhet me dije nga KQZ-ja, pjesë e procesit janë edhe përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe nga Misioni i OSBE-së.