
KQZ-ja kërkon 7 milionë euro për zgjedhjet lokale, MF-ja ia ofron 2 milionë euro më pak
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) qysh tani ka filluar të organizohet për zgjedhjet lokale të cilat planifikohen të mbahen vitin e ardhshëm.
Ky institucion ka paraqitur në Ministrinë e Financave planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili siç merret vesh është mbi 7 milionë euro.
Në kuadër të këtij buxheti planifikohet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave. Por, në këtë institucion kanë ngritur shqetësimin për mundësinë që ky buxhet të mos miratohet sipas kërkesës së KQZ-së, ngase MF-ja ka ofruar 2 milionë euro më pak.
Anëtari i KQZ-së, Sabri Hamiti, ka thënë se kjo mund të rrezikojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, raporton EO.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se do t’i dërgohet një shkresë qeverisë për të qartësuar situatën.
Këto deklarata u bënë në mbledhjen e rregullt të KQZ-së, ku u miratua rregulla zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat.