KQZ-ja kufizon shpenzimet e partive për fushatën zgjedhore në Podujevë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës, e cila është kryesuar nga anëtari i këtij komisioni, Alim Rama.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës.
Nëpërmjet këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përcaktuar kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, në shumën 43 mijë e 433 euro.
“Ky kufizim mbështetet në Rregullën zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar. Sipas listës jopërfundimtare të regjistrit civil numri i votuesve në komunën e Podujevës është: 86 mijë e 866 votues të regjistruar”, ka njoftuar KQZ-ja.