KQZ-ja mblidhet sot, pritet të certifikojë 17 subjekte politike me 674 kandidatë për deputetë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot nga ora 13:30, ku pritet të certifikohen 17 subjekte politike me 674 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me certfikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së (e hënë, 23 dhjetor 2024, ora 13:30) në rend dite është certifikimi i 17 subjekteve politike me 674 kandidatë”.
Javën e kaluar KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me gjithsej 606 kandidatë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
“Gjatë periudhës së aplikimit të subjekteve politike (1 shtator – 11 dhjetor 2024), 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë kanë dorëzuar kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Elezi.