KQZ-ja me 200 ekipe mobile për të mundësuar votimin e personave me Covid
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke zhvilluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar se 200 ekipe mobile do të jenë në shërbim të personave të infektuar me Covid-19, në mënyrë që ata të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit në 38 komuna të Kosovës.
“Do të jenë rreth 200 ekipe mobile gjithandej Kosovës, në të gjitha komunat e Republikës të Kosovës, të cilat në ditën e zgjedhjeve, do të shkojnë në adresa të caktuara të këtyre votuesve të cilët janë në karantinë shtëpiake , për t’iu mundësuar votimin përmes ekipeve mobile. Zakonisht ekipet mobile do të përbëhen nga 4 anëtarë. Njëri prej tyre do të jetë nga ekipet shëndetësore me qëllim që të këshillojë profesionalisht anëtarët e ekipit mobil”, ka thënë Elezi për “Kosovapress”.