KQZ-ja me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset zgjedhore
Përfshirja aktive e grave në politikë dhe zgjedhje është element kyç për ndërtimin e një shoqërie demokratike. Në këtë frymë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, me mbështetjen e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, ka zhvilluar 10 tryeza tematike që theksuan rëndësinë e barazisë gjinore në proceset zgjedhore.
Tryezat që janë mbajtur në komuna të ndryshme të Kosovës, ishin pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025.
Sipas njoftimit të KQZ-së, diskutimet në këto dhjetë tryeza patën për qëllim promovimin e rolit dhe përfshirjes së grave në politikë dhe në proceset vendimmarrëse, duke vënë theksin tek rëndësia e angazhimit të tyre aktiv që zëri dhe nevojat e grave dhe vajzave të reflektohen si në politikat lokale, ashtu edhe në ato qendrore.
“Duke folur për rëndësinë e kësaj nisme, Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se barazia gjinore në proceset zgjedhore nuk është vetëm domosdoshmëri demokratike, por edhe mundësi për të fuqizuar zërin e grave në çdo aspekt të jetës publike dhe vendimmarrjes. Ai u shpreh se përmes këtyre tryezave, është synuar të dërgohet mesazh për ndryshime të prekshme në përfaqësimin e grave në zgjedhje dhe politikë”.
“Gjatë këtyre tryezave, përfaqësues të KQZ-së, të nivelit lokal, shoqërisë civile dhe medias diskutuan mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në zgjedhje, si një hap i domosdoshëm drejt avancimit të barazisë gjinore dhe demokratizimit të shoqërisë. Gjithashtu, është diskutuar edhe se si përfshirja e grave në zgjedhje ndikon në krijimin e një mjedisi më të barabartë politik dhe fuqizimin e pozitës së tyre në vendimmarrje”, ka njoftuar KQZ-ja.