KQZ-ja miraton emrat e kandidatëve të PDK-së e LV-së, probleme me ata të Listës Serbe
Komisioni Qendror Zgjedhjeve (KQZ) është mbledhur sot që të bëjë certifikimin e kandidatëve për kryetarë të komunave në veri të vendit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit.
Debati është duke u zhvilluar rreth kandidatëve të Listës Serbe që janë emra të njëjtë, me ata që kanë dhënë dorëheqje 5 muaj më parë.
Adnan Rrustemi, anëtar KQZ-së nga Vetëvendosje, ka thënë se nuk do të duhej të ishin kandidatë ata që janë dorëhequr.
Sipas tij, ish-kryetarët, me arsyet që i japin dorëheqje janë kundër Kushtetutës dhe në dorëheqje i referohen Kosovës si ‘Kosovo Metohi’.
Ai ka thënë që çështja e rikandidimit të tyre do të duhej të merrej edhe në aspektin ligjor dhe gjykata të vendoste se a kanë të drejtë kandidimi.
Por sipas anëtarit tjetër të KQZ-së, Florian Dushit duhet të respektohen dispozitat ligjore që i rregullojnë aspektet që ndërlidhen me certifikimin e subjekteve dhe kandidatëve.
Sipas tij, KQZ-ja do të duhej në respektim të plotë të ligjit për zgjedhje dhe të mos e problematizojë këtë çështje përtej autorizimeve të veta.
Në mbledhjen e sotme KQZ-ja ka miratuar emrat e kandidatëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes.
Kujtojmë se tre nga kandidatët e Listës Serbe për kryetarë të komunave veriore janë ish-kryetarë të po atyre komunave. /KP/