Kryetari i KQZ-së në Shqipëri: Kriza politike po dëmton zgjedhjet
Klement Zguri, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e ka shfrytëzuar raportimin vjetor përpara Komisionit të ligjeve, për të kërkuar më shumë mbështetje nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ai ka thënë se kriza politike në vend është duke e dëmtuar procesin e zgjedhjeve lokale.
“Përplasja politike, me shumë gjasë, nuk ka për ta lënë KQZ-në pa e përfshirë në vorbullën e saj, sepse përplasja politike do godasë dhe zgjedhjet lokale, së paku administrimin e tyre. Nëse ndodh, atëherë Kuvendi duhet t’i japë mbështetje të përforcuar KQZ-së, duhet të mbrojë pavarësinë e tij, duhet ta inkurajojë në zbatimin me fanatizëm të ligjit. Që zgjedhjet lokale të zhvillohen me sukses, ato kanë nevojë për një administratë të vendosur, të fortë, serioze e profesionale”, Ka thënë Zguri. /Top Channel/